Pazaret e koalicionit për zgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar dështoi t’i zgjedhë tre gjyqtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese.

Asnjëri prej gjashtë kandidatëve shqiptarë nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për të ardhur në pozitën e gjyqtarit të Kushtetueses.

Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se ky dështim erdhi si pasojë e pazareve mes partive të koalicionit qeverisës, shkruan gazeta “Zëri”.

Sipas tyre, në mesin e kandidatëve për gjyqtarë ka pasur kandidatë që e kanë merituar të vijnë në krye të Gjykatës Kushtetuese, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Një praktikë e tillë, siç thonë ata, dëshmon qartazi se edhe gjyqtarët e rinj do të jetë persona të dirigjuar nga politika.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e partive në pushtet kanë mohuar të ketë pazare politike në të tilla raste.

Sipas tyre, dështimi i zgjedhjes së gjyqtarëve ka ardhur si pasojë e shpërndarjes së votës së deputetëve, pasi që, siç ata janë shprehur, sistemi i votimit të lirë mundëson që askush të mos i marrë votat e mjaftueshme.