PAN-i nuk e ka shumicën parlamentare

Shefi i grupit parlamentar LAA, Avdullah Hoti, pas mbylljes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se koalicioni PAN nuk e ka shumicën parlamentare për themelimin e institucioneve të vendit, ndërsa Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se koalicioni PAN në kohë të përshtatshme do të dalë me kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Hoti ka paralajmëruar se LAA do të përdorë të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për të çuar vullnetin e qytetarëve në vend.“Unë e bëj të qartë edhe një herë para juve dhe përpara qytetarëve të Kosovës që institucionet e vendit themelohen vetëm nga shumica parlamentare. Ne do të sillemi në përputhje me Kushtetutën. Nuk e kanë definitivisht shumicën për të themeluar institucionet e vendit dhe do të përdorim të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për të çuar vullnetin e qytetarëve në vend”, tha Hoti.

Mirëpo, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj tha se koalicioni PAN në kohë të përshtatshme do të dalë me kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe se mbyllja e seancës është një situatë e re, e cila nuk i takon atij ta interpretojë, por Sekretariatit të Kuvendit.  “Ne në një kohë të përshtatshme do të dalim me kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit nga koalicioni PAN. Në atë moment që ne mendojmë që duhet të ndodhë vendi ka nevojë që institucionet të konstituohen, mirëpo nëse janë zgjat procedurat e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe Kuvendit, edhe neve na është dashur kohë që ne realisht të dalim me kandidatin për kryetar të Kuvendit, dy orë nuk janë shumë, por kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Mikullovci e mbylli seancën dhe kjo është situatë e re, e cila nuk më takon mua që ta interpretojë, por i takon Sekretarisë së Kuvendit”, tha Hoxhaj.

Ndërsa, lideri i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj tha se arsyeja e kërkimit të shtyrjes së seancës konstituive është për t’u konsultuar për të kaluar në hapin e dytë për themelimin e institucioneve të vendit, dhe se koalicioni PAN ka propozimin për kandidat për kryeparlamentar. “Arsyeja është për t’u konsultuar për të bashkëbiseduar dhe për të ofruar sa më shpejt një mundësi që të kalojmë në hapin e dytë pas konstituimit të Kuvendit në formimin e Qeverisë së Kosovës…Sigurisht ne e kemi kandidatin dhe do ta shihni edhe zyrtarisht kandidatin kur të vjen edhe propozimi nga koalicioni”, tha Limaj.

Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është mbyllur nga kryesuesi i kësaj seance, deputeti më i vjetër i cili i takon Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, pas kërkesës së Enver Hoxhajt për një pauzë dy orëshe në emër të koalicionit PAN. Seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit do të vazhdojë sot në ora 15.00.