PAN e mban sekret datën e vazhdimit të seancës konstituive

Në momentin e arritjes së marrëveshjes në mes koalicionit PAN dhe AKR-së, është dhënë edhe drita jeshile për formimin e institucioneve, por një gjë e tillë nuk po bëhet.

Madje, rreth kësaj çështje nuk është hedhur as hapi i parë, kërkesë për thirrje të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për ‘Indeksonline’, vetë kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci.

E, siç duket koalicionit PAN dhe AKR mund t’i ketë dalë ndonjë telashe tjetër për t’i formuar institucionet.

I kontaktuar nga Indeksonline, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj  nuk ka konfirmuar nëse koalicioni PAN, janë të gatshëm për mbajtjen e seancës së radhës.

“Institucionet e vendit do të themelohen shpejt, kjo rrugë tashmë ka marrë rrjedhën e duhur dhe nuk ka pengesa tjera”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, vendi ka nevojë për një qeveri të vërtetë dhe se për këtë po punohet në vazhdimësi.

“Prandaj nuk bëhet fjalë për kohën më të largët apo më të afërt, ne jemi në veprim të përhershëm të gjithë së bashku që vazhdimi i seancës të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka përfunduar Lekaj.

Ndryshe është edhe vetë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se këtë javë do të duhej t’i kishim institucionet e formuara./Indeksonline/