Pamje e dhomës që i burgosuri ndërtoi për vete në burgun e Prizrenit (Foto/Video)

burgu-shtepiNezir Kryeziu, i cili më 25 tetor të vitit të kaluar u dënua me 9 vjet e 10 muaj burg për tejkalim të vetëmbrojtjes dhe vrasje në tentative, ngase akuzohej se vrau një person dhe plagosi një tjetër, është personi i cili ndërtoi një dhomë private brenda institucionit të burgut në Prizren.

Kryeziu, ndërtimin e kësaj dhome banimi të ndarë nga të burgosurit tjerë, e cila gjendet në oborrin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren e bëri në bashkëpunim me zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Nezir Kryeziu akuzohej se në shkurtin e vitit 2011 në zyrën e firmës ‘’Malik Impex’’ në Prizren, ka vrarë 22- vjeçarin Burim Shabani, ndërsa ka plagosur edhe babanë e tij Xhavit Shabanin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria e EULEX-it ngarkonte këtë 52 vjeçar nga Suhareka se qëlloi me shtatë plumba të ndjerin Shabani, njëri prej të cilëve e goditi viktimën në kokë.

Me të njëjtën armë, sipas prokurorisë, Kryeziu gjuajti në drejtim të Xhavit Shabanit, babait të të vrarit, të cilin e qëlloi me dy plumba: njërin rrëshqitas në kokë, e tjetrin në kraharor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Incidenti dyshohet se ka ndodhur për një borxh material. Në njërën nga seancat e mbajtura të shqyrtimit kryesor, i akuzuari Kryeziu i kishte thënë trupit gjykues se bëhej fjalë për një borxh prej rreth 650 mijë eurosh, të cilin i dëmtuari Xhavit Shabani obligohej t’ia kthente të akuzuarit.

Kallxo.com përcolli këtë gjykim, ku mund ta shihni videon, në të cilën shihet i akuzuari Kryeziu.