Osmani: PDK ua ngul thikën pas shpine – mos bëni koalicion me ta

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani ka folur ashpër në Kuvend kundër PDK-së, e cila që nga viti 2014 udhëheq Qeverinë bashkë me LDK-në pjesë e së cilës është edhe deputetja Osmani.

Osmani ka përdorur fjalën e urtë popullore “Ujku qimen e ndërron por zanatin se harron”, fjalë që sipas saj i përshtatet PDK-së, e cila e ka në ADN-në e saj prishjen e marrëveshjeve.

Ajo me këtë rast pati një këshillë për partitë tjera që mos të lidhin marrëveshje me PDK-në pasi “PDK ua ngulë thikën pas shpine”.

Osmani tha se ky mocion është iniciuar nga PDK e jo nga partitë opozitare, ndërsa tha se është demagogji absurde që PDK të flas për dështime kur ka pas përgjegjësi qe dhjetë vjet.

“Shumë më mirë të thuhet se ky mocion po përkrahet për çështje politike sepse PDK-ja ADN nuk mund të ndërrojë. Shihni kush po flet. Dy vjet izolim shtesë u ka shkaktuar skandali i pasaportave. A ka nevojë që të flas për ata që iknin nga burgu, nga spitalet. PDK ka insistuar që demarkacioni të vijë në Kuvend për të dështuar dhe rrjedhimisht për të penguar liberalizimin e vizave”, tha Osmani.

Me këtë rast deputetja e LDK-së u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren me akuzat e kryeministrit Mustafa e në veçanti për rastin ‘AXOS’.

Në fund ajo u është drejtuar përkrahësve të LDK-së duke bërë thirrje kolegëve të saj që të kthehen te rrënjët e saj.

Ndërsa tha se asnjë proces zgjedhor nuk mund ta shpëtojë dikë nga drejtësia e sidomos nga drejtësia ndërkombëtare.