Opozita në Malishevë e akuzon kryetarin Ragip Begaj për dështim në qeverisjen komunale (Video)

komuna

Opozita e akuzon kryetarin e Malishevës, Ragip Begajn, si të dobët, nuk i ka realizuar premtimet, ka dhënë premtime boshe dhe që është duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës, ndërsa, kryetari Begaj pranon për KosovaPress, punësimin e dy fëmijëve të tij.

Shefi i  grupit të asamblistëve nga radha e PDK-së në komunën e Malishevës, Izet Morina ka thënë për KosovaPress se kryetari Begaj ka dhënë premtime boshe. Sipas tij, Begaj jo që nuk i ka realizuar premtimet e tij, por ai nuk ka arritur që t’i realizojë as punët që PDK-ja i ka lënë të projektuara. Morina tha se kryetari i komunës së Malishevës po dëmton buxhetin komunal dhe po vazhdon që të mos e respektojë ligjin.

Bilës ai thotë se me kryetarin Begaj edhe punësimet në Komunë favorizohen vetëm nëse je anëtarë i partisë Nisma për Kosovën. Ai kujton se kryetari Begaj ka arrit deri aty sa të punësojë edhe dy fëmijët e tij në Ambulancën e Malishevës.

Ndërkohë për këtë raportim të opozitës, KosovaPress ka pyetur drejtpërdrejt kryetarin e Malishevës.

“Është e vërtetë që ata janë të punësuar aty, por janë përzgjedhur vetëm me meritat e tyre, e jo me intervenimet e mia”, ka thënë Begaj.

Nga ana tjetër, administratori i zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Malishevës ,Bekim Gashi thotë se kryetari Begaj ka treguar edhe shumë mangësi të tjera në qeverisjen e komunës. Ai e quan kryetarin të dobët në qeverisje të komunës.

Gashi shtoi që shumica nga fshatrat nuk kanë trotuar e as ujë të pijes, edhe aty ku ka sistem, nuk ka ujë, ka defekte, ka probleme. Gashi si dështim të kryetarit Begaj e cilëson edhe mosarritjen e tij që të dërgojë para përgjegjësisë penale Isni Kilajn, qeverisjen dhe drejtoret e tij, që kanë  ardhur në pushtet duke premtuar se do të luftojnë krimin dhe korrupsionin, sepse ai ka pasur të gjitha dosjet në komunë dhe është dashur t’i shfrytëzojë sepse e ka edhe obligim të ua drejtojë organeve të drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje kishe kërkuar dokumente të qeverisjes së kaluar, sepse sipas Gashit, kanë dyshuar që ka shkelje edhe keqpërdorime por kryetari Begaj nuk ka lejuar një gjë të tillë.

Gashi në fund tha se e vetmja meritë që i jepet kryetarit është se ka ndërmarr hapa shumë të mirë për luftimin e rriqrave që kjo ka rezultuar e suksesshme, sepse fatmirësisht nuk ka pasur raste të vdekjeve që kur ka ardhur ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, për KosovaPress ka thënë të kundërtat e asaj që deklaron opozita. Ai tha se premtimet që i ka dhënë gjatë mandatit të tij i ka realizuar të gjitha, por edhe për një vit gjysmë, ai do të punojë për problemet e tjera që qytetarët do t’i adresojnë tek ai.

Begaj përmend edhe disa projekte që janë realizuar pa i premtuar në fushata zgjedhore, ku njëra ndër to është zhdukja e rriqrave, ndërtimi i  11 shkollave. Ai tha se komuna e Malishevës ka liruar të gjitha bizneset nga taksat komunale./KosovaPress/