Opozita në çdo kohë mund të ngrisë mocion mosbesimi ndaj qeverisë

Numri i deputetëve të koalicionit, PDK-AAK-NISMA, në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës mund edhe të jetë problem kur vihen në pyetje votimet e shumë ligjeve.

Por para se gjithash është pikërisht opozita që ka shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mund të ngrisë një Mocion mosbesimi edhe për qeverinë e re.

Ishte pikërisht Ministri i Bujqësisë nga radhët e Listës Serbe, Nenad Rikallo i cili ka nxitur shumë debate dhe dyshime lidhur me të kaluarën e tij, e cila dyshoh t të ketë qenë kriminale.

E lidhur me këtë gjë, opozita është shumë e zëshme. Madje është pikërisht deputeti nga radhët e pozitës, nga partia NISMA për Kosovën, Zafir Berisha i cili dje është shprehur haptas se nëse opozita siguron 61 vota për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, vota e tij do të jetë e 62-të.

Kujtojmë se Berisha ishte pikërisht deputeti i cili abstenoi në votimin e Qeverisë, vendim ky i marrë në orët e fundit.

E lidhur me këtë çështje Albert Krasniqi nga KDI, ka theksuar se ngritja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë mund të bëhet në çdo kohë.

“Ngritja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë mund të bëhet në çdo kohë, pavarësisht asaj se kur ka marrë mandatin”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Sipas tij, mjafton që ky Mocion të ketë përkrahjen e 1/3-ës së të gjithë deputetëve, pavarësisht 40 deputetë.

“Nëse dështon mocioni i mosbesimit, një tjetër nuk mund të ngrihet brenda 90 ditëve të ardhshme”, ka përfunduar Krasniqi.

Duhet përkujtuar gjithashtu se ishte pikërisht Qeveria Mustafa, e cila arriti që të rrëzohej nga një Mocion mosbesimi i ngritur nga partia NISMA për Kosovën, e përkrahur nga partitë e tjerë në opozitë dhe PDK-së në atë kohë që po udhëhiqte në koalicion me LDK-në, partinë e Isa Mustafës.