Opozita i bën 41 vota për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Opozita i ka mbledhur 41 nënshkrime, të mjaftueshme për ta proceduar mocionin për votëbesimin ndaj Qeverisë së Isa Mustafës.

Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazetës Blic. Sipas këtyre burimeve, ende nuk dihet se kur do të procedohet mocioni dhe thirrja e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Shefja e grupit parlamentarë të NISMA për Kosovë, Valdete Bajrami nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.

Bajrami tha që në ditët në vazhdim do të dalin me një deklaratë në lidhje me këtë çështje.

Sipas burimeve të pakonfirmuara të Gazetës Blic nesër mund të pritet procedimi i mocionit, derisa të hënën mund të mbahet seanca e jashtëzakonshme.

“Deputetët e PDK-së kanë dhënë zotimin e tyre se do ta mbështesin mocionin e Nismës për Kosovën dhe ta rrëzojnë qeverinë Mustafa”, thotë ky burim.

Ndërkohë gjatë seancës së sotme disa deputetë të PDK e kanë goditur Isa Mustafën, duke i kërkuar edhe dorëheqjen.