Opozita: Diplomacia e Kosovës ka dështuar keq

opozita

Të ashpër në kritika kanë qenë sot krerët e tri partive opozitare në vend, ata të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës.

Visar Ymeri, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, kanë thënë sot në një konferencë për media se Diplomacia e Kosovës ka dështuar keq për të siguruar votat për anëtarësimin në organizatën ndërkombëtare UNESCO dhe për këtë bëjnë fajtor edhe fushatën raciste siç e quajtën ata të Serbisë.

Krejt kjo po e shtynë opozitën që të kërkoj ndaljen e dialogut me Serbinë.

Për Fatmir Limajn e Nismës ky është dështimi më i madh që nga formimi i diplomacisë kosovare, andaj edhe vazhdimi i dialogut nuk është i arsyeshëm.

“Sjellja e Serbisë në raport me Kosovën ka dëshmuar se sa është e dëmshme mënyra dhe qasja e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë. Kemi kërkuar dhe kërkojmë që ky dialog duhet të ndërpritet dhe duhet të filloj një dialog që ka kusht njohjen nga Serbia. Mos votimi nga vendet mike që na kanë njohur është dështimi me i madh i kësaj qeverie dhe diplomacie”, tha Limaj, transmeton KP.

E Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se Dialogu i pakushtëzuar me Serbinë po reflekton edhe jashtë në arenën ndërkombëtare. Ymeri, tha se Kosova nuk mund të forcohet derisa qeveria bënë marrëveshje dhe dialog me Serbinë.

Ndaljen e dialogut me Serbinë e ka kërkuar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.