Nuk po i mjaftojnë 21, Qeveria Haradinaj shton edhe një Ministri

Me ardhjen e Qeverisë Haradinaj në pushtet, Kosovës do t’i shtohet edhe ministria e 22-të. Ministria e Zhvillimit Rajonal, do të jetë ministria e re, e që synim i saj do të jetë zhvillimi plotësues i regjioneve më pak të zhvilluara në Republikën e Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

Së paku kështu thuhet në Programin e Qeverisë për vitet 2017-2022, që ka siguruar Gazeta Fjala.

Në këtë program thuhet se kjo ministri do t’i ketë këto departamente: Departamenti për integrim të zhvillimit rajonal dhe Departamentin për infrastrukturën lokale dhe rajonale, të cilat më pastaj do të ndahen tre e më shumë sektorë.

“Në Departamentin për integrim të zhvillimit rajonal, janë të paraqitura propozimet si në vijim që të ndahen në: Sektori për zhvillim rajonal, Sektori për bashkëpunim ndërkufitar dhe Sektori i për koordinim dhe bashkëpunim ndërsektorial për përdorimin e mjeteve te BE dhe burimeve të tjera ndërkombëtare”, thuhet në planin qeverisës.

Edhe për departamentin për infrastrukturën lokale dhe rajonale, janë paraqitur propozimet për ndarjen e sektorëve.

Për departamentin për infrastrukturën lokale dhe rajonale janë të paraqitura propozimet si në vijim: Sektori për zhvillim dhe mbikqyrje të projekteve, Sektori për bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale dhe Sektori për zhvillim të zonave kodrinore-malore”.

Përmes kësaj Ministrie dhe departamenteve synohen të krijohen kushtet dhe të kryhen aktivitetet për planifikim dhe implementim të programeve të destinuara për zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes lokale në regjionet më pak të zhvilluara si dhe arritja e zhvillimit ndërkufitar dhe ndër-rajonal.

“Ministria e zhvillimit rajonal do të punojë për të zvogëluar mungesën e baraspeshës në zhvillimin e rajoneve të veçanta dhe do të ndihmojë në krijimin e parakushteve për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, përmes programit dhe masave për ngritjen ose modernizimin e infrastrukturës komunale dhe sociale, bazuar në partneritet dhe solidaritet”, thuhet më tej në planin qeverisës që ka siguruar gazeta.