Nuk mbahet seanca, shtyhet për nesër në orën 10

Mësohet kushti i LDK-së për demarkacionin

[12:46] – KTV-ja merr vesh se kërkesë e LDK është që raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë veç informues, të mos jetë pjesë e projektligjit dhe të riformulohet.

Kjo nuk po pranohet nga Ramush Haradinaj. Disa deputetë të LDK kanë thënë në kushte anonimitet se nuk mund të votojnë për një raport që shkruan se komisioni meha ka bërë vepër penale me falsifikimin e hartave.


Deda thërret për ulje tensionesh dhe votim të demarkacionit

Deputeti i Alternativës Ilir Deda ka bërë thirrje të ulen tensionet duke ftuar njëherësh kolegët deputetë që të jenë sa më unikë në mënyrë që të votojnë Marrëveshjen për demarkacionin.

Ai tha se një komunikim i munguar politik ka bërë që të jetë situata që është sot.

Për qëndrimin e deputetëve të Listës Serbe ai tha se nuk përbën befasi, meqë ata dihet se dëgjojnë vetëm urdhrat e Beogradit, qëndrimi i të cilit ndaj Kosovës është i njohur.

u shpreh për KTV-në, deputeti Deda votimi i demarkacionit do të thotë votim për liberalizim vizash për shtetasit e Kosovës.


Lista Serbe nuk do të votojë demarkacionin me Malin e Zi

[12:43] – Lista Serbe ka thënë se nuk do të votojë për demarkacionin me Malin e Zi pavarësisht pohimeve të rrejshme dhe tendencioze të plasuara në të gjitha mediat në gjuhen shqipe e të cilat i raportuan edhe një pjesë e medieve në serbisht.

“Një diçka e këtillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta përkrahim demarkacionin, siç po pohohet rrejshëm por do të vazhdojmë të luftojmë për interesat e popullit serb në Kosovë e jo të qendrave vendore e ndërkombëtare të pushtet” thanë nga Lista Serbe raporton KiM Radio.

“Njëkohësisht pritet që në të ardhmen të ketë edhe tentime tjera të ngjashme që të dezinformohet, populli serb”, njoftoi partia tutje.


Veseli në takim me Hotin dhe Beqirin e LDK-së

[12:38] – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, siç raporton KTV-ja, është në takim me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe deputetin e kësaj partie Ismet Beqirin.

KTV raporton se ka presion të madh nga ambasadorëve karshi deputetëve të LDK-së që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.


Ambasadorët bëjnë përpjekje për të bindur deputetët e LDK-së

[12:18] – Grupi parlamentar i LDK-së është në takime me ambasadorët e huaj në Kosovë, të cilët janë duke bërë përpjekje për t’i bindur deputetët që të votojnë demarkacionin, raporton Koha Ditore.

Burime të KTV-së kanë thënë se LDK-ja ka kushtëzuar votimin e demarkacionit me heqjen nga projektligji raportin e Komisionit Bulliqi.


LDK-ja kushtëzon votimin e demarkacionit

[12:02] – Grupi parlamentar i LDK-së ka kushtëzuar votimin e demarkacionit. Për këtë shkak është duke ndodhur edhe vonesa e nisjes së seancës në të cilën do të dalë në votim demarkacioni me Malin e Zi.

Dy zyrtarë të lartë qeveritarë i kanë thënë KTV-së, se LDK-ja ka kërkuar që nga projektligji të largohet raporti i Shpejtim Bulliqit.

“Është shumë më e vështirë sesa duket kjo punë. LDK po kërkon ta heqim krejtësisht raportin e Bulliqit. Por nëse ne pranojmë ta heqim atë, atëherë nuk i kemi votat”, kanë thënë këto burime.


Pritet ardhja e deputetëve të Listës Serbe

[11:44] – Reporterja e KTV-së në Kuvendin e Kosovës, njofton se në sallë ende nuk kanë arritur të gjithë deputetët për të votuar marrëveshjen e demarkacionit.

Jo zyrtarisht merret vesh se në Kuvend po pritet ardhja e deputetëve të Listës Serbe, tek e cila koalicioni qeveritar ka varur shpresat për kalimin e këtij projektligji.

Merret vesh se deputetët e Listës Serbe kanë kërkuar që votimi për demarkacion të bëhet fshehtas. Koalicioni qeveritar nuk e ka pranuar këtë kërkesë.

 


Kusari-Lila: Do të votojmë marrëveshjen e vitit 2015

[11:33] – Deputetja Mimoza Kusari-Lila në konferencën për media para se të fillojë seanca për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se deputetë sot do të votojnë marrëveshjen e vitit 2015.

“Sot do të votojmë marrëveshjen e vitit 2015. Kësaj i janë shtuar deklaratat e presidentëve”, ka thënë Kusari-Lila.

“Deklarata e presidentëve që thotë se pas ratifikimit fillon puna e një trupi të përbashkët për korrigjimin e pikës kufitare”, ka shtuar ajo.


Haradinaj “lobon” te deputetët për demarkacionin

[11:25] – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur në Kuvendin e Kosovës dhe në sallën e Kuvendit ai po flet një për një me deputetët e Kosovës.

Supozohet se gjatë kësaj bisede të ketë kërkuar nga deputetët votën për demarkacionin.

Është vërejtur se Haradinaj më së paku ka qëndruar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilët gjithnjë po ia përkujtojnë se ai ka qenë në krye të protestave dhe në krye të peticionit kundër miratimit të demarkacionit.

Në Kuvend është edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili aty ka arritur 40 minuta para fillimit të paraparë të seancës së Kuvendit.


Delawie u bën thirrje deputetëve që të votojnë demarkacionin

[11:20] – Ambasadori amerikan, Greg Delawie në një deklaratë për media, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka thënë se me këtë votim do t’u mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Evropë.

“Jam këtu për të inkurajuar deputetë që të votojnë për demarkacionin”, ka thënë ambasadori amerikan.


Peticionin kundër demarkacionit deputetët e VV-së e marrin në Kuvend

[11:15] – Peticionin me mbi 200 mijë nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarët kundër marrëveshjes së demarkacionit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë marrë me veti në seancën e Kuvendit.

Këtë peticion deputetët e VV-së e kanë vendosur nëpër tavolina të Kuvendit në ditën kur pritet të dalë në votim marrëveshja e demarkacionit.