“Nuk kam se çfarë bëj, më duhet t’ju ushqej”

Nga: Entenela Ndrevataj

Edhe mami im e mori dhuratën për këtë 8 Mars që iku. Doja vërtetë ta bëja të lumtur, dhe ia arrita, asaj i pëlqeu dhe u ndje e veçantë në këtë ditë.

Edhe grate e lagjes sime ishin të lumtura. I pashë të veshura, të qeshura dhe prisnin të merrnin urime nga çdokush. I urova. Hipokrizi e thellë, apo jo?

Doja të ulërisja dhe tu thoja që kjo kohë mjerane ku ato gra jetojnë çdo ditë nuk mban asnjë grimcë lumturie, por u stepa teksa pashë një ndjenjë lirie dhe ekzistence tek ato. Fundja ishte 8 Marsi, një festë edhe më hipokrite sesa urimi im.

Dua paksa të humbas në rutinën e nënës sime. Ajo ka pak vite që nuk është më shtëpiake, tashmë punon, kundrejt pagesës. Mbaj mend para disa viteve filloi punën e parë. Paga e saj ishte vetëm 4000 lekë në muaj, por nuk punonte me orar të plotë, vetëm 3 ditë në javë. E mbajti për disa muaj punën dhe më në fund u shpërblye, rroga e saj u rrit. Tashmë ajo fitonte plot 10.000 lekë në muaj. Dhe u ndje e kënaqur por edhe më e lodhur. Orari u rrit, në përpjestim të zhdrejtë me pagën. Dhe kështu kaluan edhe muaj të tjerë, u bënë edhe vite. Ajo vazhdonte të merrte as më pak e as më shumë se 10.000 lekë në muaj. Dhe e dëgjoja vazhdimisht teksa shprehej: “Më mire pak sesa hiç” dhe rrathët e zinj të syve të saj errësoheshin çdo ditë e më shumë, e ankesat për dhimbjen trupore po ashtu.

Por kalvari i saj i lodhjes dhe nënshtrimit mori një formë të re. Kësaj here, pas shumë vitesh përkushtim dhe punë, ia arriti, filloi punë të siguruar dhe rroga iu rrit. Bashkë me rrogën ajo mori disa barra të tjera mbi shpinë, që çuditërisht i pranoi më lehtësisht se kurrë. Paga e saj mujore varioi në 22.000 lekë në muaj dhe ishte mëse e kënaqur. Për të merituar këtë super page ajo punonte shumë orë, dhe në dy vende të ndryshme, por paguhej vetëm 22.000 lekë.

Mamaja ime bente dy punë në fakt, por vetem njëra nga ato mund të shpërblehej në vlerë monetare. Kështu tha ajo, shefja, e cila drejton një parti të tërë por zhvatjet që i bëjnë popullit nuk i mjaftojnë ta paguajnë nënën time, e cila pastronte zyrat madhështore dhe luksoze të kryesisë së llumit, pa asnjë lloj pagese. Ajo mundi t’i siguronte pastrueses me rrathet e zinj të syve nje punë, në shtet dhe vetëm për këtë fakt, pastruesja i detyrohej shumë. Kështu shprehej dhe mami.

Madje, skllavërimi i mendjes vazhdonte dhe më tej, shefja e meritonte një “kafe” siç thuhet në zhargonin e përditshëm, pasi i kishte siguruar një punë me pagesë dhe një punë tjetër pa pagesë. Dhe dhuratat sigurisht i pranon edhe mbreti. “Nuk kam se çfarë bëj, më duhet t’ju ushqej”,- thotë mami im.

Ajo vërtetë beson se kështu është ky vend dhe se gjërat nuk mund të ndryshojnë. Ajo tashmë është zënë rob i shtypësve, dhe nuk e merr aspak në konsiderate rebelimin. Këtë ma shpreh qartazi, teksa artikulon edhe më qartazi se unë nuk do të shkoj asgjëkundi me idetë e mia. Dhe nuk dua aspak ta kuptoj atë! Jo more jo! E kam pare mjaft here të lodhur dhe të pagjumë, teksa blinte vetëm një byrek që të mos shpenzonte dhe të ruante “rrogën”, atë 4000 lekshin që merrte para disa viteve si page për punën që ajo bënte.

E kam parë, shpesh here besa, teksa nuk i mjaftonin lekët për të blerë ilaçet që aq të domosdoshme i ka, nga pamundësia, dhe prapë të njëjtën gjë ka besuar, se nuk mund të bëjë asgjë.

Dhe sot, për ty nënë, që më rritë nën këto rrënoja të shfytëzimit, unë dua të distancohem nga ti! Nuk mundem dhe nuk dua ta pranoj se unë, një 21 vjeçare, të zgjohem duke uruar çdo ditë që të ikja nga këtu, e të rrija kampeve derisa dikush të kishte mëshirë për mua.

Unë nuk dua ta urrej këtë vend, pasi kam ende shpresë. Dhe lodhjen tënde të tepërt ma, nuk mund të ta shpërblej me dorëzim! Ndonese ti ndoshta nuk do ta kuptosh kurrë!

Unë, bija jote, e bija e një pastruesje e cila nuk mundi kurrë ta pastrojë llumin që na ka mbuluar me leckën e nënshtrimit, zotohem se nuk do ta lejoj që historia të përsëritet! Unë besoj te fuqia e gruas, te ajo grua që ngrihet dhe i rrëmben të drejtat që i takojnë si qënie njerëzore. Do të ngrihem për ty e për shumë nëna të tjera që mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë. Ju arritet nje hic me heshtjen tuaj, lermeni të paktën ta nxjerr mllefin që kam, e më pas do ushqehem me ideale, dhe do jem po prapë bija jote, e bija e një pastruesje e cila guxon të ëndërrojë. Dhe ti duhet të jesh krenare për këtë ma! Une nuk mund te hesht!