Një tryezë tjetër për demarkacionin me Malin e Zi

demarkacioni

Një tryezë tjetër para asaj të tre gushtit do të mbahet sot lidhur me demarkacionin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku përfaqësues të koalicionit qeveritarë dhe subjekteve opozitare pritet t’i ballafaqojnë argumentet dhe kundër-argumentet lidhur me demarkacionin.

Tryeza është organizuar nga Shoqata e Malazezëve të Kosovës, me përkrahje të Friedrich Ebert Stiftung me temë “Demarkacioni i kufirit Kosovë- Mali i Zi nga përspektiva e qytetarëve malazezë të Kosovës”, si demonstrim i angazhimit dhe përkushtimit të këtij komuniteti për integrim dhe bashkëpunim të mirëfilltë në mes dy popujve dhe dy shteteve.

Në një njoftim të Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, thuhet se kjo shoqatë është e angazhuar të kontribuojë në ofrimin e mundësisë për bashkëbisedim në mes të të gjitha palëve të interesuara për temën e demarkacionit, drejt arritjes së zgjidhjes afirmative dhe të kënaqshme të kësaj teme tejet të politizuar dhe me rrezik të dëmtimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore.

“Si përfaqësues të qytetarëve malazezë që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë dhe duke qenë në kontakt të përhershëm më institucionet e Malit të Zi, jemi shumë të përkushtuar për dialog të mirëfilltë e të hapur dhe ju ftojmë në bashkëbisedim për ta dëgjuar edhe mendimin tonë si qytetarë të Kosovës të interesuar për një zgjidhje të kënaqshme dhe afatgjatë të kësaj çështjeje të ndjeshme për marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet në njoftim./KosovaPress/