Nismës i bashkangjitet kryetari partisë së Drejtësisë në Kaçanik

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, dega në Kaçanik, Avni Tafili ka aderuar sot në Nismën për Kosovën.Këtë e ka bërë të ditur vet ai në një konferencë që mbajti para disa minutash me të parin e Nismës, Fatmir Limaj, raporton Indeksonline.

E Limaj tha se Nisma është shumë afër fitores së madhe që do të ndodh, pasi që sipas tij, ndryshimi në Kaçanik është shumë i nevojshëm që të bëhet.

“Duke u bërë krah i ndryshimit dhe fitores së madhe, po bashkohemi për nevojën e madhe që ka vendi për ndryshim.

Që nga sot ekipit tonë fitues iu bashkua edhe Avni Tafili”, tha Limaj.Avni Tafili premtoi se ashtu sic i ka dhënë fjalën qytetarëve do të vazhdoj ta mbaj ende për ta dërguar shtetin përpara edhe më fuqishëm me agjendën për ndryshim dhe përmirësim të gjendjes aktuale.

“Limaj është njeri i shpresës i mbresave, ne e vlerësojmë sinqeritetin tuaj, je njeri i qëndresës para dhe gjatë luftës, ne gjithmonë jemi të përcaktuar të ndjekim vlerat, njerëzit të cilët i kanë përkushtuar jetën lirisë dhe drejtësisë në vend. Shpresoj se është koha që sot të bëhemi bashkë me Nismën për kosovën, për ndryshimin e gjendjes sonë”, tha Tafili.

Ai ftoi të gjithë ata që duan një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë, ti bashkohen Nismës për Kosovën dhe iniciativës për të dërguar përpara proceset e vendit, duke i dëshmuar botës që në Kosovë mund të qeveriset si është më së miri.

E kryetari i degës së Nismës në Kaçanik, Agim Çaka duke e vlerësuar aderimin e Tafilit, tha se ngjarja e sotme është moment i rëndësishëm për partinë pasi që iu bashkua një personalitet me bagazh intelektual dhe të definuar politik.“Aderimi i Tafilit do të jetë një ndihmesë e madhe për frymën e ndryshimeve në Kosovë. Ardhja e Avniut paraqet një hap të madh drejt ndryshimit që po e presim të gjithë”, përfundoi ai.