Nisma kundër transparencës për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal e cila u mbajt sot, e në të cilën nuk ishin prezent asamblistët e PDK-së, anëtarët e Kuvendit Komunal kanë diskutuar për një varg pikash. Në mesin e tyre ishte si pikë e rendit të ditës edhe propozimi i kryesuesit të grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili me një kërkesë drejtuar Kuvendit Komunal kishte kërkuar që Kuvendi të nxjerrë vendim me anë të cilit e obligon Drejtorinë e Arsimit që gjatë procesit për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme në Malishevë të merren një varg masash që do t’i paraprinin një procesi të mirëfilltë, duke filluar nga aplikimi ku do të duhej të publikoheshin listat e kandidatëve që konkurrojnë për drejtor, niveli i përgatitjeve profesionale të tyre dhe të dhëna tjera relevante. Po ashtu nëpërmjet një vendimi të tillë të gjithë drejtorët e zgjedhur të obligohen që planin e tyre katër vjeçar për menaxhimin dhe zhvillimin e shkollës ta prezantojnë para prindërve, arsimtarëve dhe qytetarëve.

Mirëpo, pas një debati të gjerë në Kuvend dhe pas një varg argumentesh të dhëna nga kryesuesi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, se pse është e rëndësishme që Kuvendi të marr këtë vendim me gjithë mbështetjen e grupit të asamblistëve nga LDK-ja ky propozim nuk kaloi sepse ishin asamblistët e Nismës pas konsultimit me kryetarin Begaj vendosën që mos ta përkrahin këtë propozim. Kjo bëri që njëherit ky propozim mos të kalojë.

Zgjedhja e drejtorëve ka qenë për vite të tëra problematike në Malishevë për shkak të ndikimit partiak në procesin e përzgjedhjes, kjo ka bërë që edhe një numër i madh i shkollave në Malishevë të vazhdojnë të udhëhiqen nga ushtrues detyre të drejtorëve, si dhe në konkurset për drejtor të mos aplikojnë shumë kandidat, të cilët e shohin si të kotë aplikimin e tyre për shkak të ndikimit të lartë politik në përzgjedhjen e tyre.

Tregues i kësaj është edhe anulimi i 9 pozitave për drejtor për shkak të mungesës së kandidatëve, gjë e cila u vërtetua sot edhe nga vet drejtori i DKAE-së Blerim Thaçi.