NISMA kontadiktore me programin e saj politik

Një tavolinë me birra, raki e mish e vendosur në një ambient të lakmueshëm për të pushuar është përzgjedhja që kanë bërë krerët e Nismës për Kosovë, për të shënuar ditën e punëtorëve.

Pjesë e piknikut në natyrë, bashkë me liderin Fatmir Limaj, deputetët Haxhi Shala e Enver Hoti, janë edhe tetë veta tjerë.

Fotot nga pikniku në Pagarushë të Malishevës, bastionin e Nisma për Kosovës, i ka shpërndarë deputeti Haxhi Shala.

Por, veprimi i drejtuesve të Nisma për Kosovën për të shpërndarë foto nga pikniku në natyrë pikërisht më 1 maj, ditën e punëtorëve, është në kundërshtim me programin e partisë.

Partia opozitare Nisma për Kosovën është deklaruar si parti social demokrate. Kjo filozofi politike obligon për angazhim në respektimin e të drejtave të punëtorëve. Në tërë botën, më datën 1 maj organizohen protesta për të drejtat e punëtorëve.  Një pjesë e madhe e tyre organizohen nga partitë opozita të deklaruara si social demokrate, siç është Nisma për Kosovën.

Programi i Nisma për Kosovën, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, është i mbushur me deklaratat që garantojnë angazhim për të drejtat e punëtorëve.

“Puna do të jetë epiqendra e politikës dhe e shoqërisë në Kosovën e Drejtësisë Sociale”, thuhet në programin e këtij subjekti politik.

Po ashtu shënohet se “NISMA i premton çdo punëmarrësi se Nisma do t’i ndihmoj në ndryshimin e kushteve të punës për punëtorin…”,

Në plan program citohen edhe thënie të rilindësve shqiptarë.

“Me Nismën socialdemokrate, njerëzit e punës, në çdo sektor të jetës a nivel shoqëror a privat, duhet të ndjehen të nderuar e të përkrahur më shumë se kurrë më parë. Kërkesa e jonë duhet të jetë si ajo e rilindësve: “Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”’, theksohet në programin e Nisma për Kosovën.

Brenda programit është një kërkesë që i bëhet qytetarëve të Kosovës.

“Kërkojmë nga çdo familjeje që do të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë ekonomike e sociale t’i bashkohet karvanit të ndryshimeve”, thuhet në këtë dokument partiak.

Po ashtu edhe lideri i partisë, Fatmir Limaj, në një fjalim në qershor të vitit të kaluar kishte përmendur se cilat grupet shoqërore duhet të bashkohen me Nismën Social Demokrate.

“Prandaj, qytetarë të Kosovës: Ju që përjetoni përbuzjen në vendin tuaj, Ju që jetoni në varfëri në Kosovën e begatshme, Ju, të cilëve u nëpërkëmbet dinjiteti, Ju që jeni të papunë e në mjerim, Ju që punoni e keni paga të mjerueshme, Ju që keni bindjen se duhet vepruar ndryshe për të krijuar Kosovën evropiane, Ju që keni në shpirt Lirinë, Drejtësinë dhe Solidaritetin, Bashkohuni me NISMA-në SOCIALDEMOKRATE të Kosovës për të krijuar një Kosovë të Lirë, të Drejtë dhe Solidare”, kishte pohuar Limaj, i cili sot më 1 maj gjendet në piknik bashkë me kolegët e tij, të partisë./Insajderi.com