Nisma kërkon zonë ekonomike në fshatin e Fatmir Limajt

Një pjesë e fshatit Banjë të Komunës së Malishevës, prej ku vjen zëvendës kryeministri Fatmir Limaj, mund të shpronësohet nga Qeveria e Kosovës për themelimin e një zone të veçantë ekonomike. Kjo sipas ministrave të Qeverisë së Kosovës ka koston e dhjetëra miliona eurove. Përveç Banjës, ky shpronësim do të prek edhe fshatin Bellanicë e Senik.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të martën u propozi kolegëve në kabinetin qeveritarë një pikë e cila pritet t’i kushtojë buxhetit  të Kosovës me dhjetëra miliona euro.

Ministri Hasani para kabinetit qeveritarë paraqiti një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra, Banjën e Malishevës, Bellanicën dhe Senikun.

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj është me origjinë nga ky fshat që pritet të preket nga shpronësimi.

Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani u kundërshtua pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Sipas Abelard Tahirit, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit.

E se për çfarë kosto bëhet fjalë, Ministri Hasani i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thotë se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.

“Komuna e Malishevës është një ndër komunat që ka më sa paku pronë publike, ne kemi dashtë me shpallë me interes të veçantë, tani është përgjegjëse Ministria e Ambientit me pa se sa, qysh tek, është puna e vlerësimit, veç një mundem me thanë që ato nuk munden me kushtuar shumë, sepse ato janë, sipas informatave që i kemi, çmimet nuk janë të larta”, tha ministri Hasani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Themelimi i kësaj zone të veçantë është propozuar të bëhet në Komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.

“Saktësisht nuk mundem me fol, veç është diku mbi 50 hektar”, tha tutje për Gazetën JNK ministri Hasani.

Meqë zëvendës kryeministri Fatmir Limaj është nga fshati Banjë e Malishevës, ministri Hasani thotë se nuk e di nëse planifikimi që është bërë prek ndonjë pjesë të pronave të Limajt, apo familjarëve të tij.

“Nuk e di sa prek në ato fshatra, duhet me i hy me kadastër, sa e prek Banjën, e sa fshatrat tjera, tash mundet me prek naj parcelë të fshatit, por jo me shku te fshati. Nuk e di nëse do të prek ndonjë pronë të z.Limaj, nuk besoj, sepse s’kemi këqyrë ashtu, ajo është kërkesë e Komunës për shkak të pozitës për themelimin e zonës ekonomike”, tha në mes tjerash ministri Hasani.

E për këtë investim të madh të shpronësimit të mbi 50 hektarëve tokë private, Ministri Hasani thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e ka diskutuar fare këtë temë me kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, meqë ky i fundit ka qenë jashtë vendit.

Mirëpo, meqë kjo çështje fillimisht u kundërshtua nga ministrat e PDK-së dhe me vendim të kabinetit qeveritar u vendos të shtyhej për mbledhjen tjetër, Hasani thotë se do ta diskutoj me Limajn tani.

“S’na ka ra me u taku, sepse ka qenë jashtë vendit, por besoj se do të takohemi para se të hyjë në votim në Qeveri”, tha tutje Hasani për Gazetën JnK.

Për Hasanin, nuk është problem kostoja, sepse sipas tij, kur është interesi madhor ekonomik, shteti duhet të marrë përsipër edhe koston e cila do të shërbente për punësim.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktoj edhe ministrin Abelard Tahiri, mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrjet dhe mesazhet e Gazetës.

Mirëpo në mbledhjen e Qeverisë që u mbajtur të martën, Tahiri ishte interesuar të marrë më shumë informacione për këto shpronësime.

Ai kishte frikë se këto shpronësime mund të sjellin implikime buxhetore dhe mund të kishte shkelje të ligjit për buxhet.

Sipas tij, nëse pronat që do të shpronësohen, do të jenë private, kostoja financiare mund të shkoj deri në dhjetëra miliona euro.

“Prej përvojës nga e kaluara, që vendimet e tilla mund të kontestohen, mendoj që duhet një trajtim më i thellë, më i qartë, me pa edhe njëherë se cila është kostoja financiare, mund të shkojë me dhjetëra miliona, nëse kemi të bëjmë me prona private”, kishte thënë Tahiri në mbledhjen e Qeverisë.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka shkruar edhe Komunës së Malishevës për të marrë dokumentacionin, për të parë se ku kanë propozuar të krijohet kjo zonë e veçantë ekonomike.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj e ka konfirmuar që e ka marrë kërkesën, mirëpo ata ende nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës JNK.

Për zonën nuk ka folur lideri i NISMA-s Fatmir Limaj, por në këtë iniciativë i zëshëm është treguar djali i tij Durim Limaj.

“Malisheva do të bëhet me zonë ekonomike. Me, apo pa dashjen e disave! Veç vonim, pshtim s`ka kjo punë. Malisheva nuk do të mbetet zorrë qorre, ani pse disa duan ta lënë të tillë” ka shkruar Limaj në Facebook.

Debati për zonën pritet të vazhdoj në mbledhjet e ardhshme të qeverisë, pasi në mbledhjen e fundit debati është ndërprerë nga kryeministri Haradinaj.