Ngjarja për të cilën të gjithë mbetën gojëhapur: Çfarë ishte Eksperimenti i Filadelfias?

anijaNë kulmin e Luftës së Dytë Botërore, në tetor të vitit 1943, ndodhi diçka e rrallë: Destrojeri ‘USS Eldridge’ i flotës amerikane thjesht u zhduk dhe më pas u shfaq qindra kilometra më tej.

Pak histori: Karlos Alende kishte një vit që punonte në marinë. Ai u bë pjesë e ekuipazhit të anijes tregtare ‘SS Andrew Furusuth’.

Tashmë me emrin Karl Alen, ai do të udhëtonte drejt Afrikës së Jugut si pjesë e një flote me anije mallrash.

Ato do mbroheshin nga anije ushtarake.

Një prej tyre ishte edhe destrojeri ‘USS Eldridge’.

Por teksa anijet ishin ende në portin e Filadelfias në SHBA, Alen vuri re se si destrojeri u bë krejt papritur ngjyrë jeshile – dhe pastaj thuhet se u zhduk përpara syve të tij.

Vetëm një pjesë e vogël e anijes dukej pak në ujë për një çerek ore.

Dëshmitarët thanë se e kishin parë anijen për pak çaste në Norfolk, rreth 445 kilometra larg.

Pastaj “USS Eldridge” u rikthye papritmas në Filadelfia.

Disa prej njerëzve u hodhën në det të dëshpëruar, të tjerë ulërinin nga dhimbjet.

Mesa duket vetëm 21 anëtarë të ekuipazhit prej 181 personash kishte mbijetuar.

Të mbijetuarit thuhet se u çmendën me kalimin e kohës.

A ishin alienët në lojë?

Alen heshti gjatë për këtë ngjarje.

Ai dinte shumë më tepër se marinarët e tjerë.

Gjatë kohës që shërbente në marinë, ai kishte dëgjuar se SHBA po eksperimentonte me fushat magnetike.

Qëllimi ishte të mbroheshin anijet ndaj torpedove gjermane.

Testimet u zhvilluan nën emrin ‘Project Rainbow’ (Projekti Ylberi).

Në atë kohë flitej seriozisht se mund të krijoheshin fusha magnetike kaq të fuqishme, të cilat mund të ‘zhduknin’ gjërat.

Publikisht nuk u tha se përse Alen si marinar i thjeshtë dinte kaq shumë sekrete.

Incidenti misterioz i Filadelfias u bë i njohur kur astrofizikanti dhe UFO-logu, Moris K. Xhesap botoi një libër.

Ai ishte i bindur se alienët kanë rolin e tyre në këtë ngjarje.

Në librin e tij, ai i referohej teorisë së fushës së unifikuar të Albert Ajnshtajn.

Fizikantët kanë kohë që merren me këtë teori, e cila besohet se i përmbledh të gjitha forcat e universit në një formulë.

Ajnshtajn kishte tentuar vetë të mbyllte teorinë e relativitetit në teorinë e fushës, por nuk ia doli.

Në vitin 1955, Xhesap mori një letër nga Alen: “Teoritë tuaja janë realitet. Shihni dokumentet e Filadelfias”.

Xhesap u bë kurioz, u përgjigj dhe mori sërish një letër nga Karl Alen.

Letra ishte pak konfuze, por ideja ishte kjo: që Marina Amerikane, me ndihmën e Ajnshtajnit, e kishte dematerializuar anijen përmes fushave magnetike- duke e bërë që të shfaqet diku tjetër.

Alienët e kanë ndihmuar Ajnshtajnin për të kryer këtë mision të vështirë.

Por eksperimenti nuk shkoi siç duhej.

Shumica e njerëzve në bordin e ‘USS Eldridge’, gjatë ri-materializimit, u shkrinë me pjesët e anijes, duke pësuar atë fund të tmerrshëm.

Hetime pa sukses

Interesant ishte fakti se zyrtarë të Zyrës për Hetimin Detar (ZHD) u shfaqën një ditë në zyrën e Xhesap.

Ata kishin një kopje të librit të tij, të mbushur me shënime me shkrim dore.

Xhesap njohu menjëherë se ai ishte shkrimi i Alen.

Zyrtarët e ZHD morën të dhënat dhe u ngrit një ekip hetimor.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe vetë shkencëtari i njohur, Verner fon Braun.

Një grup me shkencëtarë mori nën shqyrtim çdo provë.

Rezultatet e këtij hetimi nuk janë bërë akoma të njohura edhe sot.

Pyetjet e hapura

Edhe pse Alen i tërhoqi deklaratat e tij dhe ‘eksperimenti Filadelfia’ sot konsiderohet një legjendë, sërish ka pyetje të hapura.

Albert Ajnshtajn u takua në vitin 1943 me drejtuesit e Marinës. Çfarë foli ai me oficerët?

Çfarë ka ndodhur me projektin ‘Ylberi’? A ka pasur të tilla eksperimente me destrojerin ‘USS Eldridge’?

Përse nuk është publikuar kurrë e plotë lista e atyre që ishin në destrojer në tetor të vitit 1943? Tek e fundit dihet se kanë vdekur dhjetëra persona.

Disa dëshmitarë dolën më vonë publikisht.

Victor Silverman ishte marinar në atë kohë në anije. Ai tha për dy shkrimtarë që kanë shkruar për këtë ngjarje: “U bë një mjegull e dendur dhe unë nisa të shoh forma. Mjegulla ishte jeshile dhe u zhduk papritur përmes një rrufeje. Krejt papritur isha në Norfolk. E njoha portin menjëherë, sepse kam qenë më parë aty. Pastaj u ktheva në port në Filadelfia”.

Astrofizikanti Xhesap ishte i bindur se qeveria po mbante sekret lidhjet e saj me alienët.

Në fund ndodhi diçka e çuditshme: Në vitin 1958, tre vite pasi kishte shkëmbyer letrat me Alen, ai pësoi një aksident të rëndë ne makinë.

Më 19 prill të vitit 1959, ai telefonoi mjekun e tij dhe i tha se donte ta takonte.

“Kam prova interesante për eksperimentin e Filadefias,” i tha ai.

Por të nesërmen, Xhesap u gjet i vdekur në makinë.

Automjeti ishte mbushur me një gaz toksik.

U tha se ishte vetëvrasje, por edhe oficeri që hartoi raportin kishte dyshimet e tij.

Autopsia e tij nuk u krye dhe vdekja e Xhesap mbetet ende sot një pjesë shumë e rëndësishme e enigmës së pazgjidhur të eksperimentit të Filadelfias. /mapo.al/