Nga viti 2012 nuk ka pasur rekrutim të ushtarëve rezervë në FSK

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka pyetur ministrin e FSK-së, për mos rekrutimin e komponentës rezervë të FSK-së.

“Neni 5.2 i dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, e njohur si pako e Ahtisaarit, thotë se FSK do të jetë e armatosur lehtë dhe se nuk do të posedoj armë të rënda, si tanke artileri të rëndë, megjithatë do të përbëhet nga jo më shumë se 2500 ushtar aktiv e 800 rezervë. Pyetja është kjo: sa është numri i përgjithshëm i ushtarakëve rezervë në FSK, pse FSK ka dështuar të rekrutoj prej 800 rezervë tash e 10 viteve nga pavarësia. Si mund të kërkojmë kompetenca shtesë, kur edhe ato që na janë dhënë nuk janë përmbushur?”, ka pyetur Osmani.

Duke u përgjigjur në këtë pyetje ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, tha se deri me tani janë 359 pjesëtarë të FSK-së në komponentën rezervë, derisa nuk ka pasur rekrutim që nga viti 2012.

“Që nga themelimi i FSK-së e deri më 2012 FSK ka rekrutuar dhe trajnuar 359 pjesëtarë të komponentës rezervë. Që nga 2012 nuk ka pas rekrutim, e arsyet pse nuk ka pas janë shumë ngjarje, si rishikimi i sektorit të sigurisë, strukturën e re që do të formohet, s’ka pas edhe kërkesa për plotësimin e vendeve rezervë. Është gjendje që unë e kam trashëguar. Një prej objektivave të mia është edhe plotësimi i kësaj kompenente rezervë”, tha Berisha.

Por, deputetja Osmani ka kërkuar të dijë nga ministri nëse ka kërkuar buxhet shtesë që të mos kenë probleme në vitet pasuese për ta përmbushur këtë prioritet.

“Sa i përket buxhetit të alokuar, nga Ministria e Financave është e paraparë për 3324 pjesëtarë. Ku përfshihen pjesëtarë aktualë të FKS-së, pjesa civile, pjesa rezervë dhe kadetë. Nuk janë të paraparë për pjesën rezervë por e kemi biseduar këtë çështje e besoj në bashkëpunim me MF-në në të ardhmen të kemi mundësi ta plotësojmë kompetentën rezervë”, theksoi ai.