Nesër mblidhet Kuvendi, debatohet për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes

Me fillim nga ora 10:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të enjten për një seancë që në rend dite ka 14 pika, por që asnjëra nga to nuk është për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Sipas rendit të ditës, mësohet se deputetët do të diskutojnë për Projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, ndërsa do të ketë edhe debat parlamentar të kërkuar nga GP i VV-së në lidhje me dënimin e disa aktivistëve të këtij subjekti politik.

Do të ketë po ashtu edhe një interpelancë të Kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosjes lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar.

Ky është rendi i ditës:

Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

Koha për pyetje parlamentare,

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-219 për të Huajt,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pajisjet nën presion,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shërbimin gjeologjik të Kosovës,

Debat parlamentar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me dënimin e disa aktivistëve të këtij subjekti politik,

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe GP të Lëvizjes Vetëvendosjes lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe Vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale,

Debat parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, z. Kujtim Shala dhe gjashtë (6) deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës,

Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi për Ratifikimin e nëntë (9) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016,​

Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.