Nesër mbahet seanca konstituive, pjesëmarrja e PAN-it enigmë!

Pavarësisht dilemave të koalicionit PAN për pjesëmarrje apo jo në seasncën e radhës konstituive, vendimi i kryesisuesit të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikollovci për caktimin e ditës së nesërme për vazhdimin e saj nuk ka ndryshuar.

Kështu ka njoftuar zyra për media në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e caktuar me kërkesë të përfaqësuesve të koalicionit PAN do të mbahet nga ora 10:00.

Ndryshe, i nominuari i koalicionit PAN për Kryeministër Ramush Haradinaj, në një konferecë të mbajtur sot para gazetarëve tha se ekzistojnë gjasa reale që ata të mos marrin pjesë as në seancën e nesërme, me arsyetimin se po bëjnë përpjekje që të sigurojnë numer më të madh të votave për konsituimin e institucioneve.

Përveç seancës së parë konstituive që ishte mbajtur më 3 gusht, koalicioni PAN nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë tjetër të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit, me arsyetimin se seancat janë ftuar pa pëlqimin e tyre.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre./Gazeta Blic/