Nëntë rregulla të Gjykatës Speciale në kundërshtim me Kushtetutën

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave (‘Rregullorja’) që rregullon zhvillimin e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara është miratuar më 17 mars 2017 nga gjykatësit e tjerë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të mbledhur në seancën e parë plenare, raporton KTV.

Gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nuk morën pjesë në miratimin e Rregullores.

Më 27 mars, 2017, Rregullorja iu referua Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. U caktua një panel prej tre gjykatësish ndërkombëtarë të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu u caktua edhe gjykatësi rezervë. Në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (‘Ligji’), paneli kishte tridhjetë ditë për shqyrtimin e Rregullores.

Në Vendimin e sotëm, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese u shpreh se Referimi ishte i pranueshëm. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se, në bazë të Ligjit, Rregullorja duhet të pasqyrojë standardet më të larta të të drejtave ndërkombëtare të njeriut me synimin e garantimit të procedurave gjyqësore të drejta dhe të shpejta. Pas shqyrtimit të 208 rregullave të miratuara nga Plenarja, Gjykata konstatoi se nëntë prej rregullave ishin në mospërputhje me Kapitullin II të Kushtetutës. Gjykata gjithashtu u shpreh se nuk mund të nxirrte konstatim nëse një rregull tjetër ishte në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës.