Në lokalet e Malishevës haset përdorimi i alkoolit nga të miturit

Disa lokale në Malishevë janë kapur në shkelje të ligjit të duhanit dhe lejimin e alkoolit për të mitur gjatë kontrollit të inspeksionit komunal.

Inspektorët komunal të Malishevës, sot kanë ndërmarrë një aksion të kontrollit të kafiterive dhe restoranteve në qytet, me qëllim të inspektimit për zbatimin e ligjit për përdorimin e duhanit dhe gjërave tjera të ndaluara për moshat e reja.

Komuna e Malishevës njoftoi se aksioni është drejtuar nga Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit Dibran Kastrati dhe është mbështetur nga Policia, të cilët i kanë shoqëruar inspektorët gjatë kontrollit të lokaleve.

“Gjatë këtij inspektimi, në disa nga këto lokale, është hasur në përdorim të duhanit në ambiente të mbyllura dhe nga të rinjtë nën moshën e lejuar, si dhe është hasur në përdorim të alkoolit nga miturit. Për të gjitha këto kontrolle është shkruar proces dhe lëndët e rasteve ku kanë hasur në përdorim të duhanit dhe alkoolit nga personat e mitur, do të procedohen për gjykatë”, thuhet në komunikatë.

Drejtori Kastrati bëri të ditur se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhenë të ardhmen.

“Qëllimi i këtij inspektimi, është zbatimi i ligjit nga ana e lokaleve, si kafiteritë dhe restorantet, si dhe nga qytetarët, dhe kjo formë e inspektimit do të jetë e vazhdueshme”, tha Kastrati.