Në 30-vjetorin e rënies, përkujtohet dëshmori i kombit Aziz Kelmendi

Në 30-vjetorin e rënies është përkujtuar dëshmori i kombit Aziz Kelmendi, ku u tha se Kelmendi u vra si bartës i idealeve të lirisë së shqiptarëve të robëruar.

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në kujtim të veprës së dëshmorit të Kombit Aziz Kelmendit, organizuan këtë Akademi përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të vrasjes në Armatën Jugosllave.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, Xhavit Jashari, tha se duke përkujtuar sot në këtë akademi përkujtimore në 30 vjetorin e rënies së tij, përkujtojnë të gjithë dëshmorët e kombit kudo dhe kurdo që kanë rënë për luftë, për çlirim, për liri dhe për bashkim kombëtar.

Jashari: Po përkujtojmë dëshmorin e kombit

“Po e përkujtojmë sot në këtë akademi përkujtimore dëshmorin e kombit Aziz Kelmendi në 30 vjetorin e rënies së tij. 30 vjet mund të jenë shumë për jetën e një njeriu, por 30 vjet nuk janë shumë për rrugën e historisë që përgatit luftën për liri. Kur ka rënë Aziz Kelmendi burgjet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë ishin të mbushura me shqiptarë, në ato burgje ishte edhe simboli i qëndresës dhe vetëdijes tonë kombëtare baca Adem Demaçi”, tha ai.

Ndërsa, ish luftëtari i UCK-së, Afrim Mehmeti, tha se Aziz Kelmendi është dëshmor i kombit i cili është bërë mësim i përjetshëm për brezat e shqiptarëve që do të vijnë.

Mehmeti: Azizi është bërë mësim i përjetshëm për brezat e shqiptarëve

“Bie në altarin e lirisë së Kosovës me 3 shtator të vitit 1987, ai sot është dëshmorë i kombit duke u bërë mësim i përjetshëm për brezat e shqiptarëve që do të vijnë. Nëna Salë dhe gjithë familja Kelmendi të jeni krenarë për atë që Aziz Kelmendi ka dhënë për lirinë e Kosovës, lirinë që ne po e gëzojmë e cila është fituar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi ai.

Kurse, këshilltari shkencor në institutin Albanologjik, Emin Kabashi, tha se vrasja e Aziz Kelmendit është vrasje e bartësit të idealeve të lirisë së shqiptarëve të robëruar.

Kabashi: Vrasja e Azizit është vrasje e vartësit të idealeve të lirisë

“Duke i burgosur të gjithë ata që i konsideronte të rrezikshëm për sistemin e vllaznim-bashkimit, duke i vrarë të gjithë ata që përveç të tjerash kishin mësuar edhe përdorimin e armëve luftarake pushteti i Jugosllavisë së vitit 1987 e dinte se po burgoste dhe po vriste ata që po përgatisnin rrugën e ardhjes së luftës për liri. Prandaj, do të thotë vrasja e Aziz Kelmendit pa marrë parasysh të gjithë spekulimet e propagandës së atëhershme Jugosllave, pa marrë parasysh gjithë propagandën e shtypit të kohës edhe atij shqiptar që botohej në Prishtinë është vrasje e bartësit të idealeve të lirisë së shqiptarëve të robëruar”, shtoj ai.

Në emër të familjes foli vëllai i Azizit, Hajriz Kelmendi, i cili porositi që ideali i dëshmorëve të kombit të mos harrohet.

Kelmendi: Ideali i dëshmorëve të kombit mos u harroftë

“Në emër të familjes Kelmendi më lejoni të ju falënderoj që keni ndarë kohë për të marrë pjesë në këtë akademi përkujtimore për vëllain tonë Azizin. Të nderuar qofshi, ideali i dëshmorëve të kombit, mos u harroftë”, tha Kelmendi.

Dëshmori i kombit Aziz Kelmendi ishte vrarë në vitin 3 shtator 1987.