Nderohet jeta dhe veprimtaria e akademik Pajazit Nushi

pajazit_nushi

Vdekja e akademik Pajazit Nushi u cilësua si një humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe miqtë e tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare.

Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative për nder të akademik Nushit e cila u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku përveç familjarëve, miqve dhe kolegëve, morën pjesë edhe personalitetet e larta të vendit presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe shumë personalitete tjera.

Me këtë rast, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Hivzi Islami, tha se vdekja e Pajazit Nushit është humbja e tretë me radhë dhe e rëndë për Akademinë brenda 20 ditëve, pas vdekjeve të akademikëve Esat Stavilevci dhe Mark Krasniqi.

Islami tha se nga Nushi po ndahen vetëm fizikisht, pasi që vdekja nuk mund t’i mposhtë veprat që ai la pas.

“Ne sot po ndahemi nga akademik Pajazit Nushi vetëm fizikisht, sepse trashëgimia që la pas e bëjnë emrin e këtij shkencëtari, profesori, edukatori, intelektuali dhe humanisti të mbetet gjallë për breza të tërë. Vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla, ata mbesin gjallë përmes veprave të tyre”, ka thënë Islami.

Sekretari i ASHAK, Jusuf Bajraktari për akademik Pajazit Nushin u shpres se kur njeriu lexon biografinë e akademik Pajazit Nushit, habitet se ku ky intelektual i formatit të veçantë e gjente gjithë atë energji krijuese për ta vu në shërbim të zhvillimit e të emancipimit të popullit të tij.

“Ata që e njohin personalitetin e tij dhe që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë me të në punë e projekte të ndryshme i vlerësojnë lart kapacitetet e tij krijuese. Ai është ndër ato figura të rralla të jetës sonë kulturore ku janë shkrirë në një mënyrë të natyrshme aftësitë intelektuale, madhështia njerëzore, urtia e natyrshme, mirësjellja bujare, pedantëria dhe korrektësia e pashoqe”, ka thënë Bajratktari.

Për punën dhe kontributin e tij Akademik Pajazit Nushit është vlerësuar me shpërblime e mirënjohje të shumta. Në vitin 1957 është laureat i Shpërblimit të Dhjetorit për “Të arriturat arsimore e shkencore” në; më 1970 është shpallur Qytetar Nderi i shtetit të Teksasit; po atë vit është shpallur Qytetar Nderi i shtetit Nebraska në SHBA; më 2003 është dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova; në vitin 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” dhe më 2013 po ashtu nga Komuna e Gjakovës është nderuar me çmimin “Gjakovari i Ndritur”. Ai është bartës edhe i shumë titujve e mirënjohjeve për veprimtarinë e tij të dendur shkencore e shoqërore të një periudhe 60-vjeçare.

Akademik Nushi la pas vete bashkëshorten Esma; vajzën, Leonorën; dy djemtë, Muhedinin dhe Gazmendin.

Pas kësaj mbledhje komemorative, të gjithë të pranishmit dhe qytetarë të ndryshëm patën mundësi që deri në orën 12 të bëjnë homazhe pranë arkivolit të tij, ku më pas do të niset për në ceremoninë e varrimit në Gjakovë.

Image
Image
Image
Image