Malishevë: Nderohen dëshmorët me aktivitete sportive

Muaji maj, është një prej muajve që vendbanimet e Komunës së Malishevës, përmes aktiviteteve të ndryshme, kujtojnë dhe nderojnë dëshmorët e kombit, të rënë gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në nderim të dëshmorëve, gjatë fundjavës, është mbajtur një turnir i futbollit të vogël, organizuar nga fshati Guncat, ndërsa në këtë fundjavë, do të mbahet një turnir tjetër në Drenoc.

Në hapjen e turnirit në Guncat, mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili edhe ka bërë nderime pranë lapidarit të dëshmorëve në Guncat, si dhe i ka uruar veteranët dhe rinjtë e fshatit për këtë organizim  në nderim të dëshmorëve.

Po ashtu, në këtë fundjavë, më 14 maj, në Drenoc, organizohet një turnir tjetër i futbollit, për grup moshat 2005, 2006, 2007 dhe 2008. Turniri mbahet në nderim të dëshmorëve, ndërsa pjesëmarrja në këtë turne do të jetë me karakter mbarëkombëtar, ku do të marrin pjesë ekipe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.