MZHE negocioi fshehtas miliardat për “Kosovën e Re”

KekProcesi i deritashëm për projektin më madhor, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” po vlerësohet i mbyllur dhe jotransparent nga ana e ekspertëve të ekonomisë në vend. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë të ditur që janë përmbyllur negociatat me kompaninë amerikane ‘Contour Global” për ndërtimin e termocentralit dhe se i është hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes. Arritja e marrëveshjes është bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Visar Azemi, koordinator i Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), të gjithë procesin e negocimit e ka parë të mbyllur. Sipas tij, negocimi i 1.4 miliardë euro të qytetarëve të Kosovës pa miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe mungesa e transparencës për një vlerë kaq të madhe paraqet rrezik serioz për kredibilitetin dhe ligjshmërinë e këtij procesi.

“Procesi ka mungesë të plotë transparence dhe informacioni për opinionin publik. Që në fillim, për këtë projekt nuk u respektuan standardet procedurale duke shkaktuar një mori shkeljesh ligjore. Hapja e ofertave për Projektin ‘Kosova e Re’ u bë në fshehtësi të plotë dhe pa prezencën e mediave. Sipas lajmit të djeshëm të Qeverisë se është arritur marrëveshja për pikat negociuese me kompaninë “Contour Global”, asnjëherë opinioni publik nuk është informuar për atë se çfarë është duke u negociuar dhe se çfarë marrëveshje është arritur”, ka thënë Azemi për gazetën “Zëri”