Mustafa me status përplot vrer për PDK dhe AAK-në

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar në mënyrë shumë të ashpër në drejtim të koalicionit të krijuar në mes PDK-së dhe AAK-së.

Menjëherë pas përfundimit të deklaratave të  bëra nga i pari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së Ramush Haradinaj në Rahovec, të cilët kanë vlerësuar edhe njëherë se qeverisja në largim nuk ka arritur të marrë vendime dhe të udhëheqë me vendin si duhet, Mustafa ka thënë se PDK u dorëzua para një partie të vogël, pasi populli u tha se nuk dinë të qeverisin.

Gjithashtu Mustafa ka paralajmëruar se është pikërisht “turi i votës” i cili bashkërisht do t’ua tregoj vendin, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i plotë:

PDK e AAK për dy tre ditë paralajmëruan vendimet kapitale për Kosovën. Por, pasi dështoi në maraton, pas dy vjet e gjysmë, vendimin më të madh PDK e mori pas turit të dëgjimit. Populli i tha dorëzohu se nuk dini me qeverisë dhe u dorëzuan para një partie të vogël. Tani, për koalicionin e karavanit të partive, pason “turri”i votës, i cili bashkërisht do t’ua tregoj vendin. Pastaj Do kanë kohë të mendojnë, me kokë, sesi merren vendimet e mëdha.