Mustafa: Listën Serbe nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj

ISA LDKKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka lëshuar edhe një reagim drejtuar opozitës. Kësaj radhe, ai ka folur për Listën Serbe dhe për vendet e garantuara për pakicat në Kuvend.

Mustafa, me këtë rast, duke bërë referencë në thënien e famshme të Gjergj Kastrioti Skënderbeut “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”, tha se Listën Serbe nuk ua solla unë, por, sipas tij, atë e solli veriu, votat e qytetarëve serbë dhe në fund, e solli dialogu.

“Për hire të së vërtetës! Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviq, nuk ua solli Isa. Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serbë, i solli dialogu. Realiteti është se ata udhëheqin gati të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe se kanë 10 deputetë në Kuvend”, ka thënë kryeministri Mustafa.

“Disa nga ata që sot po flasin kundër tyre, garonin për t’i zëvendësuar vendet e garantuara me ato të rezervuara, dhe sot do të kishim së paku edhe 10 më shumë nga popullata joshumicë në Kuvend”, shton më tej ai.

“Ishte LDK dhe unë që mbajtëm parimin se janë konsumuar vendet e rezervuara dhe nuk lëshuam pe; të gjithë tjerët përpos VV- të cilën edhe nuk e pyesnin, bënin gara, si në ankand, se kush po jep më shumë”, ka potencuar Mustafa.

“Për korrektësi duhet të them se Thaçi ishte më i matur, sepse thoshte se ai e përkrahë zgjatjen e vendeve të rezervuara, pasi është në koalicion me minoritetet, por nuk garanton se do të votojnë të gjithë deputetët e tij dhe se kjo nuk mund të arrihet pa LDK-në, kurse Ramushi e Behxheti, nuk kishin kufi me zemërgjerësinë e tyre. Tani të mos flasin shumë, se nuk u ka hije, ose le ta thonë të vërtetën”, ka përfunduar kreu i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa./koha