Mustafa: Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese parashihej edhe me Marrëveshjen e Brukselit

kabineti qeveritarKryeministri Isa Mustafa, pasi e njoftoi kabinetin qeveritar për pranimin e Raportit të Progresit nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian dhe me vlerësimet që dalin prej tij, shtoi se “na mbetet që të punojmë në çështje të tjera që janë adresuar në Raportin e Progresit”.

Si një çështje që nuk i është adresuar Raporti, kryeministri në mbledhjen e sotshme të Qeverisës përmendi funksionimin e koalicionit qeverisës. “Unë besoj që kohezioni i këtij koalicioni, fuqia e koalicionit, por edhe serioziteti me të cilin koalicioni qeverisës i është qasur problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, është shumë i lartë”.

“Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, kemi pasur një koherencë shumë të mirë ndaj problemeve me të cilat jemi ballafaquar gjatë kësaj periudhe dhe ju garantoj se ne do të vazhdojmë me këtë, dhe sigurisht se raporti në të ardhmen do të jetë shumë më i mirë”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket adresimit të presidentes ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, kryeministri Mustafa tha se bëhet fjalë për një çështje, e cila ka qenë e paraparë edhe me Marrëveshjen që e kemi nënshkruar ne në Bruksel, sepse Gjykata është dashur ta japë mendimin lidhur me këtë marrëveshje. Unë nuk e konsideroj se Marrëveshja është suspenduar, ose se është vënë në dyshim.

Konsideroj se Marrëveshja ka shkuar në Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e saj është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është ajo që edhe ne do ta bënim si Qeveri, sepse kemi qenë të detyruar ta bëjmë dhe kjo në asnjë rast nuk e bie në pikëpyetje dialogun tonë, që duhet ta zhvillojmë, ose normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Por, natyrisht se ngjarjet që kanë ndodhur me UNESCO-n do të kërkojnë që ne të kërkojmë që të gjithë të jemi përgjegjës për normalizim të marrëdhënieve, sepse nuk është normalizim i marrëdhënieve nëse ne dëshirojmë të ecim në një rrugë, ndërkaq e pengojmë tjetrin të ecë në rrugën tjetër.

Është zëvendëskryeministri këtu, që ka qenë kryeministër atëherë dhe ne me marrëveshjen e parë për normalizim, në pikën e fundit, jemi zotuar të dyja palët se nuk do ta pengojmë njëra-tjetrën sa i përket ecjes përpara tek anëtarësimet në organizatat e ndryshme, sepse është në dobi të të dy vendeve”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.