Musliu: Lugina nuk do të heqë dorë nga librat në gjuhën shqipe

librat shqip

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu ka deklaruar sot se nuk do të heqë dorë nga kërkesa që t’iu lejohet përdorimi i librave të shkollës fillore nga Kosova të cilat si donacion i Ministrisë së Arsimit nga Prishtina po qëndrojnë tash e tre muaj në terminalin doganor në Preshevë shpërndarjen e të cilave nuk po e lejojnë autoritetet serbe.

Musliu për agjencinë serbe të lajmeve Beta ka thënë se me këtë kërkesë tashmë janë mbajtur disa protesta në të cilat kanë marrë pjesë nxënësit shqiptarë, transmeton Koha.net.

Protesta e fundit është mbajtur dje në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc

“Në doganën e Preshevës tash e tre muaj gjenden 103.220 libra, dhuratë nga MAShT dërguar për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Këto libra janë sipas programit evropian dhe në to nuk ka kurrfarë provokimesh. Mbajtja në terminal është politikë e keqe e Beogradit “, ka thënë Musliu.