Mulla Xhevat Kryeziu-Misionari që mori pjesë në pajtimin e rreth 500 gjaqeve

xhevat_kryeziuPothuajse është e pamundur të bëhet një pajtim gjaku a ngatërrese në Kosovë e të mos shihet aty Mulla Xhevat Kryeziu(1958)nga Bubaveci. Kështu është për dy dekada e gjysmë, nga viti 1990 e deri sivjetë kur presidentja e Republikës së Kosovës e ka dekoruar me mirënjohje për pajtimin e gjaqeve dhe familjeve në Kosovë(fotografitë në këtë tekst janë pikërisht nga kjo ceremoni). Në Krajkovë të Drenicës më 1990 ka marrë pjesë për të parën herë në një pajtim gjaku. Familja Shala e kishte falur gjakun atë kohë. Falja kishte ndodhur në të pamen e Dr. Hafir Shalës. Në një bisedë për Portalin “Online” Mulla Xhevati tregon se nga viti 1990 deri tani ka marrë pjesë në rreth 500 pajtime e falje gjaqesh në gjithë Kosovën. Kujton me krenari faljet e mëdha të gjaqeve që u bënë atë kohë tek “Verrat e Llukës” dhe në Xhaminë e Bubavecit ku ishte një ndër protogonistët. Anton Çetën e quan figurë emblematike që ka ushtruar dhe kryer një mision të madh kombëtar. Ndonëse i ka të rëgjistruara në kokë të gjitha faljet e gjaqeve, thotë se i ka mbetur në kujtesë një falje gjaku në fshatin Guncat ku profesor Antoni kishte arritur ta bindte një rast të rëndë. “I vrari kishte qenë mësues, dhe kur shkuam me profesor Antonin, babai i të vrarit na tha se nuk ka falje aty, nuk falet gjaku i mësuesit”, kujton Mulla Xhevati. Por falja kishte ndodhur brenda 10 ditësh. “Profesor Antoni i tha prindit të të vrarit se edhe ai ishte mësues e prind mësuesish dhe se falet edhe gjaku i mësuesit dhe kjo ndodhi pas 10 ditësh”. Tani duke folur për përjetimet e tij në këtë mision, Mulla Xhevati thotë se është e vështirë të kërkosh faljen tek njerëzit të cilëve u përmbyset bota e u shuhet konaku, por e din që është diqka në shërbim të së mirës, hyjnores. “E kuptojmë dhimbjen e familjeve për njerëzit e vet që janë vrarë e mbytur në mënyra në ndryshme por ne e dijmë që falja është diqka që e don zoti, njerrëzia, shqiptaria dhe këtu mbështetemi ne, kjo na lehtëson në misionin tonë, e dijmë që falja sjellë paqe e harmoni, siguron ardhmëri”, thotë Mulla Xhevati. “Vetëm krijuesi i gjithësisë që na e dha jetën ka të drejtë të na e marr shpirtin. Çdo krim që bëhet është në kundërshtim me zotin dhe ai që e merr jetën e tjetrit nuk ka me i shiju mirësitë hyjnore të botës së amshueshme, nuk ka me pas xhenet për të”, tërheqë vërejtjen ai. I kujtohet që në vitin 1990 kur ka nisë të marrë pjesë në pajtime gjaqesh regjimin serb dhe unifikimin kundër tij pajtimtarët e kanë patur atunë kryesore kur dikujt i është kërkuar ta falte gjakun e derdhur të familjarëve. “Do të ishte shumë keq sikur Kosova të ishte futur në luftë pa faljen e gjaqeve, më kujtohet që shpesh Serbia i vriste njerëzit tanë pas shpine dhe thoshte se janë vrarë mes vete për shkak të gjakmarrjes”, kujton Mulla Xhevati. Tani atu të pajtimtarëve në kërkimfaljet e gjaqeve e pajtimit të ngatërresave janë uniteti popullor, civilizimi, ardhmëria e sigurtë për brezat. “Kërkojmë ta mbjellim e kultivojmë tolerancën ndërnjerëzore, ndërshqiptare që populli të mos ketë probleme me gjakmarrje e vëllavrasje por të punojë për zhvillimin ekonomik e mirëqenjen e vet”, vë në pah ai. Sipas tij motivet e ngatërresave që qojnë deri tek vrasjet janë të ndryshme por dominojnë problemet pronësore dhe divorcet. “Përkundër se i kemi institucionet tona, këto probleme po ndodhin ende dhe po kërkohet ndërmjetësimi ynë, po imponohet, përndryshe qytetarët tanë duhet t’u besojnë institucioneve dhe shteti t’i zgjidhë këto probleme”, tërheq vëmendjen Mulla Xhevati. “Ndërmjetësimi ynë bëhet me qëllim që ta ndërpresim të keqen, krimin, të evitojmë një vrasje të dytë”, shton ai. E tërë puna e tij dhe e misionarëve të tjerë pajtimtarë Mulla Xhevati thotë se bëhet pa asnjë kompensim. “Nuk kemi as mëditje, as paga, as dreka e darka, shpërblimi i vetëm për punën tonë humane që presim është nga i madhi zot”, thekson ai. Kujton se në fillim të punës në pajtimin e gjaqeve pajtimtarë-bashkudhëtarë ishin  rreth 400 veta, ndërkaq tani thotë se janë rreth 50 deri 60 veta në gjithë Kosovën. Vetëm gjatë muajit të fundit Mulla Xhevati thotë për Portalin “Online” se me kolegët e tij i kanë pajtuar 6 gjaqe në Kosovë, dy nga të cilat kanë qenë raste të familjeve me përkatësi të ndryshme fetare. /portalionline.com

xhevat_kryeziu1