Muja i PDK-së dje e dorëzoi detyrën e kryetarit, sot del para gjyqit

Një ditë pasi ia ka dorëzuar çelësat e zyrës fituesit të zgjedhjeve në Prizren, Mytaher Haskukës, ish-kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, do të udhëtojë me kilometra nga jugu drejt lindjes së Kosovës për t’u paraqitur në proces gjyqësor.
Sot në Gjykatën Themelore të Gjilanit do të nisë gjykimi i ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës, dhe ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe të tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar më 8 gusht të këtij viti kryetari i kësaj gjykate Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.
Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të të tjerëve.
Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai, po ashtu, mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.