Mos repelimi i kafshëve shqetësim për qytetarët e Komunës së Malishevës

Sot, drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, ku janë trajtuar shumë çështje, ndërsa shqetësim kryesor nga kjo mbledhje doli të jetë mos fillimi i fushatës së repelimit të kafshëve, si masa më efikase në luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), dhe u kërkua nga organet kompetente që të fillojnë sa më shpejt të realizojnë repelimin, që tashmë është dashur të jetë në fazën e dytë të saj.

Fillimisht drejtori komunal për bujqësi, Murat Hoxha e ka paraqitur këtë problem, i cili tha “se është tepër shqetësuese që kafshët nuk janë repeluar, pasi kjo do ta ndihmoj në masë të madhe vazhdimin e ciklit tek rriqrat, të cilët janë bartës të virusit”. Sipas tij, faza e parë e repelimit është dashur të jetë e kryer dhe tani do të duhej të fillohej me fazën e dytë. Edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është edhe pjesë e Këshillit Ndërministror, dhe i cili në vazhdimësi e ka paraqitur këtë shqetësim, repelimin e kafshëve e ka vlerësuar si masën më të efektshme në parandalimin e EHKK dhe ka kërkuar edhe njëherë që organet kompetente, të veprojnë sa më shpejtë, në mënyrë që të mos përsëriten situatat e viteve të mëhershme, kur virusi vdekjeprurës zhvillohej dhe merrte jetë njerëzish. Sa i përket EHKK, pjesa që është kompetencë e komunës, është duke u realizuar, siç janë ligjëratat e vetëdijesimit, pastaj ofrimi i shërbimeve shëndetësore në rastet e thumbimeve, si dhe komuna është e përgatitur për pjesën e saj të dezinsektimit të zonave endemike.