Monumenti “Heroinat” mirënjohje për gratë, nder për shtetin

monumenti_heroinatPresidentja e vendit, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri, Isa Mustafa, inauguruan sot në parkun përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë memorialin ‘Heroinat’, i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Në këtë ceremoni përveç përfaqësueseve të grave, nismëtareve për ngritjen e këtij monumenti dhe qytetarëve, merrnin pjesë edhe përfaqësues ambasadash dhe të pranisë ndërkombëtare në Prishtinë.

Alma Lama, iniciues i memorialit ‘Heroinat’ tha se kjo është një mirënjohje kosovare që kanë kontribuar shumë për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa, duke folur në ceremoninë e inaugurimit të këtij monumenti, tha se ky memorial shënon një pikë kthese jo vetëm në kujtesën tonë historike, por edhe në respektin institucional dhe në njohjen e vlerave dhe kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë nënat, gratë dhe motrat tona gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për më tepër, këtë memorial duhet parë edhe si një mirënjohje sublime artistike, por edhe shtetërore, për të gjitha përjetimet tragjike të gruas shqiptare në tmerret e kësaj lufte, por edhe gjatë tërë historisë sonë kombëtare.

Memoriali “Heroinat” nderon në mënyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të gruas gjatë luftës në Kosovë, kur, në kushte tmerrësisht të rënda gjersa populli ynë përjetonte vuajtje e tragjedi përmasash apokaliptike, gruaja kujdesej për fëmijët, pleqtë dhe të plagosurit.

Gjithashtu, kjo vepër e realizuar artistike, është një vepër nderimi për sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por edhe për sakrificën e grave të dhunuara.

Gjatë ditëve të luftës në Kosovë, qindra gra të tjera u angazhuan në profesione e punë të ndryshme. Ato ishin pjesë e pandashme dhe vitale e rezistencës dhe e UÇK-së. Është e pamundur të numërohen të gjitha. Kontributi i grave në luftën e fundit gjithsesi është vazhdimësi e kontributit të tyre gjatë dekadave të luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nënat, gratë dhe motrat tona ishin kudo, si në protesta, ishin aty ku ishte dhuna policore, ishin në betejën politike për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Nderimi për gruan është pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë sonë nacionale shpirtërore e kulturore. Portretizimi i figurës së saj në krijimtarinë tonë popullore artistike është bërë përherë me figurat dhe epitetet më të zgjedhura, ndërsa roli i gruas është vlerësuar me konsideratat më të larta.

Fatlumnisht, historia e kombit tonë është shumë e pasur me emra grash të shquara, të cilat, në periudha e në rrethana të ndryshme historike, kanë qenë pjesë e rëndësishme e arritjeve tona, madje shumë herë kanë qenë edhe përcaktuese të atyre arritjeve.

Emri më madhështor i kësaj historie të pasur është Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, e cila, me urtësinë, dhembshurinë dhe dashurinë universale për Zotin dhe për njeriun, u bë shqiptarja më e njohur e të gjitha kohëve.

Ajo na bënë të ndihemi krenarë, që pikërisht ne shqiptarët i dhuruam botës mbarë një personalitet të tillë, një grua të brishtë fizikisht, por me zemër shumë të madhe e me kurajo të pabesueshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë personalisht si udhëheqës i saj, do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet që roli dhe kontributi i të gjitha nënave, motrave dhe bijave të këtij vendi të vlerësohet ashtu siç ato vërtet e meritojnë.

Në traditën tonë, gruaja gjithmonë është cilësuar si “shtylla e sh’pisë”, ajo ka qenë edukatorja e parë e brezave të rinj, mbarëvajtëse e punëve “të brendshme” të familjes, e kur ka qenë e domosdoshme, edhe ndihmëtare e të shoqit në punët e rënda në fushë e në arë.

Sot, me krenari theksojmë se roli dhe kontributi i gruas është i jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës sonë, duke nisur që nga institucionet e edukimit dhe zhvillimit në fëmijërinë e hershme, deri në institucionet më të larta të Republikës së Kosovës, në Kuvend, në Qeveri, e kemi Presidenten e Kosovës, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në policinë dhe ushtrinë e Kosovës.

Zhvillimi i një vendi të qytetëruar as që mund të imagjinohet pa edukimin dhe arsimimin e femrës. Prandaj, duke qenë të vetëdijshëm për vështirësitë që ende ekzistojnë aty-këtu, ne, si Qeveri e Kosovës, nxisim të gjitha nxënëset, studentet, mjeket, juristet, ekonomistet, biznesmenet, politikanet, që të mos ngurrojnë aspak, por të bëhen luftëtare të pareshtura për realizimin e së drejtës së tyre më se legjitime për të qenë jo vetëm të barabarta, por edhe të respektuara në shoqëri, për të qenë në ballë të proceseve dhe për t’u paraprirë atyre. Vetëm kështu, Kosova do të ketë një të ardhme më të mirë, një të ardhme më të dinjitetshme në gjirin e familjes së madhe të demokracisë euroatlantike.

Prandaj, theksoj këtu para jush se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë përkrahjen e veprave të tilla të mira që e nderojnë kontributin e grave, siç është memoriali “Heroinat”, një projekt i iniciuar nga deputetja jonë Alma Lama dhe i përkrahur nga Kuvendi, ashtu edhe nga Qeveria. Kjo është vepra e parë që iu kushtohet grave, por sigurisht që nuk do të jetë e fundit.

Ne i përkasim një kombi të qytetëruar perëndimor. Dëshmi e kësaj përkatësie është edhe memoriali “Heroinat” që e kemi vendosur këtu, në pjesën qendrore të kryeqytetit tonë, karshi Pallatit të Rinisë, përfundoi kryeministri Isa Mustafa.