Mjaftuan tre muaj që Qeveria Haradinaj t’i përgjysmojë rezervat shtetërore

Qeveria e vendit është treguar dorëlirë me mjetet rezervë të buxhetit. Vetëm për tre muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar gjysmën e mjeteve të rezervave, shkruan sot Koha Ditore.

Nga 4.8 milionë euro, ajo ka shpenzuar 2.4 milionë euro. Megjithatë, edhe pse e kishte ngritur vetë si shqetësim në një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës, ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se shpenzimi nga rezervat nuk e rrezikon stabilitetin makrofiskal të vendit, vetëm se duhet të ketë planifikim më të mirë nga organizatat buxhetore.

Në raportimin e përbashkët para dy komisioneve parlamentare, atë për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrje të Financave, Hamza ka thënë se nëse i referohen historikut të shpenzimit të rezervës, del që në mesatare rezerva publike në vitet e fundit është shpenzuar prej 7-8 milionë eurosh.

Sipas tij, në vitin 2016 janë shpenzuar 8 milionë euro prej rezervës shtetërore, ndërsa në vitin 2017 janë shpenzuar 6 milionë e 900 mijë.