Mitrush Kuteli, shkrimtari i përjetshëm

mitrushi

Tiranë,13 shtator – Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë mes dy motrave në familjen Kuteli.

Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919.

Më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike.

Më 1926, Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.

Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike.

Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.

Gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çërnëucit.

Pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Gjatë kësaj periudhe ai ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.

Më 16 maj 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me 5 vite heqje lirie tre muaj pasi kishte shkruar faqen e fundit të novelës “Tatë Tanushi”. Pasko u lirua nga burgu në maj 1949 me falje, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Pas kësaj, Pasko nuk punoi më në ekonomi dhe shkroi vepra origjinale vetëm në kohën që i mbetej nga përkthimi, veprimtari të cilën e kishte zgjedhur si një mënyrë për të siguruar jetesën me ndershmëri, në kushtet e një diktature që diktonte gjithçka. Kuteli mbylli sytë më 4 maj 1967.

Ka një krijimtari të pasur letrare dhe publicistikë si dhe disa përkthime nga letërsia ruse.