Ministria kthen në punë drejtorin e dënuar me burg

foto 1

Naser Bajraktari është kthyer në pozitën e drejtorit të Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ndonëse është dënuar nga gjykata me burg dhe gjobë.

Pas më shumë se një viti nga suspendimi, Naser Bajraktari është kthyer në pozitën e drejtorit të Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në vendimin e marrë nga sekretari i kësaj Ministrie Arben Çitaku thuhet Bajraktari kthehet në pozitën që kishte sipas akt-emërimit të tij të vitit 2013.

“Revokohet vendimi nr. 75/2015, datë 05.05.2015, për pezullimin e menjëhershëm nga detyra me pagesë prej 50 % të rrogës z. Naser Bajraktari, udhëheqësi Departamentit të Ujërave-MMPH. Naser Bajraktari kthehet në pozitën drejtor i Departamentit të Ujërave, sipas Akt Emërimit, datë 04.04.2013”, thuhet në vendimin që mban nënshkrimin e sekretarit të kësaj Ministrie, Arben Çitaku.

Më tej në vendimin për kthimin e tij në punë thuhet se komisioni disiplinor ka vendosur që nëpunësi civil Naser Bajraktari të kthehet në pozitën e njëjtë.

Bajraktari ishte suspenduar nga puna e tij si drejtor i Departamentit të Ujërave pasi që ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për deklarim të rrejshëm të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.