Mësoni rrogat e shqiptarëve në Serie A

elseidhysaj

Investimet marramendëse të bardhezinjve në afatin kalimtar ndikuan në mënyrë të pashmangshme edhe në kostot e pagesave.

Pas transferimit për 90 milionë euro te Zonja e Vjetër, ku u shndërrua në lojtarin më të kushtueshëm në historinë e Serisë A, Gonzalo Higuain bëhet edhe më i paguari, me 7.5 milionë euro neto. Argjentinasi kaloi Daniele De Rossin në kuotën 6.5 milionë euro dhe Miralem Pjanic që përfiton 4.5 milionë euro.

Për sa u takon tetë shqiptarëve që militojnë në këtë edicion të futbollit italian, Elseid Hysaj është lojtari më i paguar nga kuqezinjtë. Mbrojtësi i Napolit përfiton 600 mijë euro në sezon, por me zyrtarizimin e kontratës së re, paga e tij pritet të shkojë në afro 1.5 milion euro, transmeton Top Channel.

Pas Hysajt, pozicionohet portieri Etrit Berisha, i cili pas huazimit nga Lacio te Atalanta do të përfitojë 500 mijë euro në sezon. Podiumi i shqiptarëve plotësohet nga Ledian Memushaj. Kapiteni i Pescaras përfiton 400 mijë euro në sezon.

Pas tij pozicionohet një tjetër lojtar i “delfinëve”, sulmuesi Rey Manaj, që me huazimin nga Interi jo vetëm do të ketë më tepër hapësira, por edhe të ardhura më të larta, duke qenë se paguhet 350 mijë euro. Arlind Ajeti vazhdon fazën e rikuperimit dhe pret debutimin zyrtar me Torinon, ku paguhet 300 mijë euro, ndërsa portieri Tomas Strakosha përfiton 100 mijë euro te Lazio.

Sa gjysma e gardianit të talentuar, paguhet një tjetër i ri premtues, Leonardo Maloku. Mbrojtësi i Kombëtares së 19-vjeçarëve paguhet 50 mijë euro te Pescara, ndërsa renditja e shqiptarëve mbyllet provizorisht nga mbrojtësi Frederik Veseli, pagesa e të cilit te Empoli ende nuk është zyrtarizuar.