Mësohet ora kur do të numërohen votat me kusht dhe ato me postë

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) sot do të numërohen rreth 12 mijë vota me kusht dhe ato me postë, të cilat do të përcaktojnë kryetarët e ardhshëm për komunat Prishtinë, Prizren, Istog, Dragash dhe Kllokot – shkruan Periskopi.

Burime të Periskopit kanë bërë të ditur procesi i numërimit të këtyre votave do të fillojë sot, në orën 12:00.

Për këtë çështje Periskopi ka kontaktuar zëdhënësin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ende nuk ka asgjë të konfirmuar lidhur me orën se kur do të fillojë numërimi i këtyre votave vendimtare.

“Ende nuk dihet se kur do të fillojë numërimi i këtyre votave. Nuk ka asgjë zyrtare. Në momentin që do të ketë diçka të konfirmuar, ne do t’ju njoftojmë”, ka thënë Elezi për Periskopi.

Se ende nuk dihet sigurt ora se kur do të fillojë procesi i numërimit të këtyre votave, e thotë edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu.

Për Periskopin, ai ka thënë se vëzhguesit e VV’së janë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, dhe aty do të qëndrojnë deri në numërimin e të gjitha votave.

Vëmendja kryesore është në Prishtinë dhe në Prizren, ku votat me kusht do të përcaktojnë kryetarët e ardhshëm. Në Prishtinë, janë 1.824 me kusht e 97 me postë, derisa në Prizren 1.637 vota me kusht dhe 45 me postë.

Në garën për kryeqytetin, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes është në epërsi me 237 vota ndaj kundërkandidatit Arban Abrashi (LDK). Sipas rezultateve preliminare, Ahmeti ka fituar 41 mijë e 401 vota (50.14), kurse Arban Abrashi ka 41 mijë e 164 (49.86). Zyrtarë të KQZ-së kanë paralajmëruar se numërimi i votave të fundit do të bëhet në prani të mediave dhe vëzhguesve./Periskopi