Merr hov të zhvillimit bujqësia në Malishevë

bujqit_malisheveBujqësia në Komunën e Malishevës, ka filluar të zhvillohet dhe duke u bazuar në angazhimet e bujqve lokal, mund të thuhet se bujqësia si njëra prej degëve kryesore e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në këtë pjesë të vendit, brenda pak viteve, pritet të ketë prodhim të mjaftueshëm dhe një sektor ku do të gjenerohen vende të reja pune.

Pjesa e ish vreshtave, është njëra prej pjesëve të Malishevës, ku pronarët e atyre pronave, kanë filluar të investojnë në plantacione të kulturave të ndryshme dhe kësaj po i kthehet pamja e dikurshme.

Për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj dhe drejtori për bujqësi, z.Hajrullah Mazreku, i kanë vizituar këta bujq, për të parë punën dhe investimet që i kanë bërë, në fushën e bujqësisë, prej ku edhe iu dhanë përkrahje për vazhdimin e investimeve në kultura të ndryshme bujqësore.

“Jam shumë i kënaqur që fermerët janë aktiv dhe po angazhohen në krijimin e të mirave materiale, por në të njëjtën kohë edhe në krijimin e vendeve të punës. Mbi të gjitha, e mira kësaj është edhe krijimi i shprehisë së punës”, tha kryetari Begaj. Me këtë rast kryetari iu dha përkrahje bujqve vendor dhe tha se “ në vitet në vijim, komuna do të përkrahë fuqishëm bujqit, dhe do të angazhohemi edhe në krijimin e infrastrukturës për bujqit”.

Begaj dhe Mazreku, i kanë vizituar bujqit nga Banja, Beqë Elshani, i cili merret me kultivimin e mjedrës dhe Jeton Telakun, i cili merret me kultivimin e mollës, të cilët janë përfitues të granteve nga Ministria e Bujqësisë, me nga shtatëdhjetë për qind të investimeve, ndërsa pjesa tjetër është investim nga kapitali i tyre personal.

Beqë Elshani, ka investuar rreth 82 mijë euro, në pesë hektar, ku mbjellë 50 mijë fidane me mjedër, ndërsa Jeton Telaku, ka mbjellë pesë hektar me mollë, me 17 280 fidane të mollës, ndërsa kjo i ka kushtuar rreth 120 mijë euro. Po ashtu, një investim interesant, është edhe ujitja e kësaj sipërfaqe, ku bujqit përmes përfitimit solar të energjisë, i fusin në punë pompat e ujit, për ujitjen e hapësirës.

Kryetari Begaj, tha se “do ti viziton të gjithë ata që kanë investuar në këtë pjesë, ndërsa do të angazhohet maksimalisht, edhe në ndërtimin e rrugëve në këtë pjesë, si dhe, në të ardhmen, do të shikohen të gjitha mundësitë, për ndërtimin e një frigoriferi, për ruajtjen e prodhimit, të këtyre kulturave”.