Mbyllet ‘Feronikeli’, vetëm edhe një muaj kontratë për punëtorët

ferenikeli

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka thënë se të gjithë punëtorëve u janë vazhduar kontratat edhe për një muaj, deri në fund të gushtit, kur pritet që të rinisë prodhimi. Aktualisht e gjithë xehja që po nxirret po dërgohet në Kavadarc të Maqedonisë.

Asnjë prej anëtarëve të menaxhmentit të ri të “Ferronikelit” nuk ka pranuar të flasë për gjendjen aktuale në gjigantin kosovar, të enjten.

Zëdhënësja Lindita Daija, e cila pak ditë më përpara ka sqaruar se aksionarët e jashtëm kanë vendosur që askush nga menaxhmenti dhe ajo vetë të mos flasin për gjendjen, nuk është dukur fare në “Ferronikël”. Në anën tjetër sindikalistët mbajnë shpresën se prodhimi do të rifillojë deri në fund të gushtit.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se aktualisht është duke funksionuar vetëm miniera në Magurë të Lipjanit, nga e cila xehja dërgohet në Kavadarci të Maqedonisë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, tha se për çdo ditë e diskuton situatën me manxhmentin e ri të “Ferronikelit”, i cili siç tha ai këmbëngul vazhdimisht që të realizohen kërkesat që “Ferronikeli” ia ka bërë Qeverisë së Kosovës, realizimi i të cilave do të mundësonte rifillimin e prodhimit.