Mbyllet DokuFest, shpallen fituesit

doku_festFilmi që pasqyron jetën e refugjatëve të Bosnjës në portin e Kopenhagës, i realizuar në një anije që kishte shërbyer si strehimore për ta, ka arritur të bindë jurinë e Festivalit të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest”, si më i miri i këtij edicioni.

Rrëfimi personal i regjisorit, Vladimir Tomiq në dokumentarin “Flotel Europa”, ka mallëngjyer anëtarët e jurisë që kanë vlerësuar dokumentarët në kuadër të kategorisë së filmave nga Ballkani.

“Regjisori arrin në kujtesën kolektive dhe përvojën kolektive përmes një historie shumë personale, që kapërcen vetveten dhe gurgullon nëpër histori deri në ditën e sotme. Duke ikur. Duke lëvizur. Duke pritur. Një ekzistencë e lënë të lundroj në Flotel Evropa”, thuhet në deklaratën e Jurisë të përbërë nga Pavel Smejkal, Iva Radivojevic dhe Alexei Dmitriev.

Vet regjisori Vladimir Tomiq që ka qenë i pranishëm në festival ka bërë të ditur se bashkë me nënën dhe vëllanë në vitet e 90’ta kanë qëndruar në Flotel Europa, pasi më parë ishin larguar shkaku i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Nëna ka xhiruar pamje të familjes në Flotel Europa dhe ato ia ka dërguar babait në Bosnje..”, ka thënë ai.

Për dallim prej Tomiqit, si regjisor premtues në kuadër të garës së filmave nga Ballkanit është shpallur Gurcan Keltek me filmin “Colony”, që paraqet tregimin për kërkimet e të zhdukurve në Malet Beshparmak.

Në natën përmbyllëse të festivalit në ceremoninë zyrtare t edicionit XIV janë shpalosur edhe fituesit e kategorive tjera. Në Garën e Dokumentarëve të gjatë Ndërkombëtarë filmi më i mirë është shpallur “Machine Gun or Typewriter” nga Travis Wilkerson, ku një burrë i dëshpëruar kërkon dashurinë e tij të humbur përmes një transmetimi ilegal në radio.

Filmi “Machine Gun or Typewriter” i Travis Wilkerson fiton si filmi më i mirë ndërkombëtar.

Çmimi special i jurisë i është dhënë dokumentarit “The Royal Road” të Jenni Olson.

Ndërkaq dokumentari më i mirë i shkurtër është shpallur “Things” nga Ben Rivers, një film që përqendrohet në ambientin shtëpiak që na rrethon përkatësisht objektet e çmuara tek të cilat regjisori kthehet për rehati ose material.

Juria, një çmim special ia ka dedikuar edhe dokumentarit të shkurtër “Scrapbook” të Mike Hoolboom “për trajtimin e tij të sofistikuar të një teme kinematografike që është edhe personale edhe historike”.

Dokumentari më i mirë mjedisor është shpallur “Virunga” i regjisorit Orlando von Einsiedel. Ndërsa çmimin special ia kanë dhënë dokumentarit “White Coal”, të regjisorit Georg Tiller.

Në anën tjetër filmi më i mirë i shkurtër në edicionin e XIV-të të DokuFestit është shpallur “Listen”, i dyshes së regjisorëve Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni.

Te kategoria e dokumentarëve për të drejtat e njeriut, filmi më i mirë është shpallur “Democrats” i regjisores Camilla Nielsson, që është një histori unike e elitës politike në Zimbabve dhe përpjekjes së tyre për të vendosur parimet për ardhmërinë e vendit.

Derisa te filmat kombëtarë “Të Pafajshmit” nga Amir Vitija, që trajton traumat e luftës së fundit në Kosovës është shpallur më i miri.

Në edicionin e XIV-të të DokuFestit janë shfaqur 238 filma në 8 kinema të ndryshme, përgjatë nëntë ditëve. Në qendër të vëmendjes në këtë edicion ka qenë tema e migrimit, që është trajtuar në aspekte të ndryshme, si përmes filmit ashtu edhe debateve. Ndërkohë punëtori të ndryshme janë realizuar me filmbërës dhe profesionistë të industrisë së filmit.