Mblidhen para në Prizren për t’ia paguar gjobën zbuluesit të korrupsionit

abdullah_thaciVendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit për dënimin e ish-punonjësit të “Pro-Credit Bankës”, Abdullah Thaçi, për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare, ka nxitur aktivistë të ndryshëm civilë nga Prizreni dhe qendrat e tjera të Kosovës, që të mobilizohen për mbledhjen e shumës prej 5 mijë eurosh, në mënyrë që t’i mundësojnë atij pagesën e gjobës së vendosur nga organet e drejtësisë.

Përderisa Gjykata… insiston se ai kishte kryer vepër penale, nga ana tjetër përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se Thaçi kishte luajtur rolin e informatorit në rastin konkret, pasi që kishte nxjerr jashtë bankës informata që ngrenë dyshime se drejtori i Arsimit i Prizrenit, Nexhat Çoçaj, kishte përfituar në mënyrë të paligjshme të holla nga buxheti i Komunës së Prizrenit. Vetë Thaçi pranon se për rastin konkret nuk kishte pritur se do të merrte ndonjë mirënjohje nga shteti, por së paku kishte pritur që të paktën nuk do të akuzohej dhe në fund të “dënohet në emër të popullit”.

” Ky dënim ndodh ende pa ja nisur asnjë seancë kundër keqpërdoruesit në fjalë. Kam frikë se kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Dënimi im do t’u shërbejë atyre për “shfajësim”, sepse ata do të provojnë të konsiderojnë se provat materiale për inkriminim të tyre janë nxjerrë në mënyrë të paligjshme”, i ka thënë Thaçi “Kohës Ditore”.

Afërdita Kicaj, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prizrenit ka bërë të ditur se Abdullah Thaçi më 31 korrik të vitit 2012 , rreth orës 16:47 minuta në Prizren në ndërtesën e “Pro CreditBankës”, derisa ishte gjatë orarit të tij të punës në cilësinë e personit zyrtar, pa autorizim kumton, dërgon dhe vë në dispozicion personit tjetër informacionin, i cili përbën fshehtësi zyrtare ose siguron informacionin e tillë, me qëllim që atë informacion ta përcjellë te një person i paautorizuar, në atë mënyrë që duke mos pasur autorizim u qaset llogarive bankare të dy klientëve të bankës, pikërisht të llogarisë bankare të Nexhat Çoçaj dhe llogarisë bankare të Bekim Thaçit, duke hyrë në llogaritë e tyre nëpërmjet sistemit qendror elektronik të bankës, i printon informacionet të cilat përbëjnë fshehtësi zyrtare-gjendjen e llogarive bankare të dy klientëve të bankës, duke thyer procedurat e aplikueshme bankare, e pikërisht marrëveshjen për konfidencialitetin dhe moszbulimin e informacioneve bankare.

” Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe atë e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 5 mijë eurosh. Pra Gjykata… e ka dënuar të akuzuarin në fjalë, i cili e ka zbuluar fshehtësinë zyrtare për të cilën e ka pasur obligim ta ruaj”, ka thënë Kicaj. Sipas saj nuk janë të vërteta pretendimet se Gjykata Themelore e Prizrenit, ka dënuar denoncuesin dhe nuk e ka trajtuar fare rastin e drejtorit, i cili ka abuzuar me mjete publike.

“Për dijeninë e të gjithëve pranë kësaj gjykate është duke u zhvilluar procesi gjyqësor ndaj drejtorit të Arsimit të Prizrenit Nexhat Çoçaj dhe Bekim Thaçit mësimdhënës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422/1-31 të KPK-së dhe së shpejti pritet përfundimi i këtij procesi gjyqësor”, ka deklaruar Kicaj