Maloku: Opozita po e fyen elektoratin

doruntina malokuDoruntinë Maloku, deputete e Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Kosovës, në emisionin Info Magazine, ka thënë se opozita me Lëvizjen Vetëvendosje, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-n, me veprimet që po i ndërmarrin për t’i bllokuar seancat parlamentare, po i fyejnë qytetarët të cilët me vota ua mundëson postet e deputetëve.
“Gazi lotsjellës është fyerje ndaj elektoratit të cilët kanë vendosur se kënd ta zgjedhin. A ju ka votuar elektoratit që me hedh gaz lotsjellës pra juve zotëri Hoti?”, i është drejtuar ajo bashkëbiseduesit të saj nga NISMA për Kosovën, Enver Hotit.

Ndërsa, ajo gjatë debatit po ashtu është shprehur se as kryeministri Isa Mustafa dhe as zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, nuk i kanë detyruar deputetët që të votojnë sipas kërkesave të tyre.

“Unë kam votuar kundër koalicionit qeverisës dhe askush nuk më ka detyruar që ta bëj të kundërtën”, ka deklaruar Maloku në përpjekje për të dëshmuar se deputetët e Kosovës nuk i dirigjon askush në vendime.