Malishevë: Policia me Kallëzim Penal, për të Shtënat nga Oda e Limajt

Policia e Kosovës ka ushtruar kallëzim penal në Prokurori pas hetimeve për të shtënat me armë zjarri në ambient të mbyllur në odën e zëvëndëskryeministrit Fatmir Limaj.

Sipas një videoje të publikuar shihet duke gjuajtur me armë zjarri edhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës në regjionin e Gjakovës, Lirije Podrimja.

“Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor në Malishevë, pas marrjes së informatës ka iniciuar rastin dhe në bashkëpunim me prokurorin e shtetit ka filluar me procedurat hetimore. Gjatë punës hetimore me autorizimin e prokurorit janë ndërmarr disa veprime operativo-hetimore, ndër to janë intervistuar disa persona dhe rasti i kompletuar i është dorëzuar me kallëzim penal Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, ka thënë zëdhënësja Podrimja.

E pyetur se kush janë personat ndaj të cilëve Policia ka ushtruar kallëzimin penal, ajo nuk ka pranuar të tregojë më shumë, pasi sipas saj rasti është dërguar në Prokurori.

“Meqenëse rasti tani më është proceduar nga Policia e Kosovës, ju lutem për çdo informatë shtesë të kontaktoni institucionin kompetent”, tha Podrimja.

Siç është raportuar, të shtënat me armë zjarri në ambient të mbyllur kanë ndodhur në odën zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në Banjë të Malishevës, pas lirimit nga Gjykata në rastin e njohur si rasti “MTPT”.