Malishevë: Përkujtohet masakra e Burimit

Në përkujtim të masakrës së Burimit, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, është mbajtur një seancë përkujtimore e Kuvendit të Komunës së Malishevës dhe më pas janë bërë nderime dhe homazhe në varrezat e të vrarëve në Dragobil, si dhe tek Vrella e Mëhillit në Burim, ku edhe ka ndodhur kjo masakër.

Në fjalimin e tij, në seancën përkujtimore, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “masakra e Burimit dhe masakrat tjera, ishin një hakmarrje e pushtuesit serb”. ” Luftën nuk e do askush, por neve na është imponuar lufta. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahja që mori ushtria jonë në popull, ishte grushti më i fortë për armikun.  Duke mos mundur ta shuaj luftën, sepse populli e donte lirinë dhe ishte më i vendosur se kurrë të fitonte lirinë, dhe duke parë përkrahjen e fuqive të mëdha dhe të botës demokratike, armiku ynë i përjetshëm, mori hak në popullatën civile. Pavarësisht humbjes dhe dhimbjes së madhe që kemi bashkë, ju familjarë, të jeni krenarë, sepse gjaku i tyre dhe i dëshmorëve tjerë, është burimi i lirisë që sot e gëzojmë”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Ndërsa kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, në mënyrë kronologjike, e ka prezantuar masakrën e Burimit, duke filluar nga rrethimi i plotë që i është bërë Malishevës, e deri te rasti i ndodhur në Burim, ku u vranë civil të pafajshëm.

Më 31 mars të vitit 1999, tek vendi i quajtur Vrella e Mëhillit, në Burim të Komunës së Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Komunës së Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë. Po në këtë ditë, në fshatrat tjerë janë vrarë dhe masakruar edhe civil të tjerë.

Për këtë masakër, deri më sot, nuk është dënuar asnjë kryes i këtij krimi të rëndë dhe asnjë urdhërdhënës për vrasjen, dhe familjarët, kërkojnë që rasti i masakrës së Burimit, të ndriçohet dhe autorët e këtij krimi, të dënohen.