Malishevë: Përkujtohen të rënët e masakrës së 30 janarit të vitit 1990

Sot, në Malishevë dhe në Bubavec, përmes homazheve dhe nderimeve në vendin e rënies dhe në varreza, janë përkujtuar të rënët e 30 janarit të vitit 1990, apo si njihet edhe si “Masakra e Malishevës”, ku humbën jetën Hisni Mazreku dhe Ali Kryeziu, ndërsa ishin plagosur edhe dhjetëra të tjerë. Kjo ngjarje, njihet edhe si reagimi i parë zyrtar institucional në raport me regjimin e atëhershëm serbo sllav.

Në shënim të kësaj dite, homazhe dhe nderime, krahas familjarëve, kanë bërë edhe i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga zyrtarët tjerë të qeverisë komunale, zëvendësministri i kulturës, Rexhep Mazreku, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, anëtarët të Kuvendit të Komunës, përfaqësues të Bashkësisë Islame, ish Kryetari i Komunës së Malishevës, në vitin 1990, Daut Krasniqi, pastaj ish zyrtarë të tjerë të komunal, si dhe qytetarë të shumtë.

Më 30 janar të vitit 1990, forcat policore, kanë hapur zjarr mbi qytetarët e pafajshëm, duke vrarë tre persona, Ali Kryeziun dhe Hisni Mazrekun, si dhe një person tjetër, i cili kurrë nuk u identifikua, ose nuk u bë i njohur për publikun, ndërsa ishin plagosur shumë qytetarë të tjerë, në Malishevë dhe në fshatrat përreth.

Ndaj kësaj ngjarje, kishin reaguar organet e atëhershme komunale  të Malishevës, e që shënon edhe rastin e parë të reagimit institucional ndaj vrasjeve që bëheshin në vend, në ato vite. “Kjo ishte një ngjarje e rëndë, e këso vrasje bëheshin thuajse çdo ditë në Kosovë, por organet komunale të Malishevës, ishin të parat, që pa marrë parasysh pasojat kolektive apo individuale, kishin reaguar për këtë vrasje të bërë në qendër të Malishevës.