Malishevë: Mbahet mbledhja e KPF-së, rekomandohen disa çështje të rëndësishme për mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), organ i Kuvendit të Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi i kuvendit, Rrahim Morina, e ka mbajtur mbledhjen e dytë të radhës. Në këtë mbledhje, anëtarët e KPF-së, pas shqyrtimeve i kanë dhënë disa rekomandime për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës.

Pas shqyrtimit, KPF, e ka rekomanduar për mbledhjen e ardhshme të kuvendit edhe kërkesën për marrjen e vendimit për dhënien në shfrytëzim të pishinave në Banjë, por kanë kërkuar që kjo të kompletohet me disa rekomandime shtesë që anëtarët e KPF-së, i kanë dhënë.

Për kuvend është miratuar edhe kërkesa e grupit të LVV-së, për rikthimin e të drejtës së parkimit të makinave në rrugën “Rilindja Kombëtare”, tani rruga “Ibrahim Mazreku”.

Për mbledhjen e ardhshme të kuvendit janë rekomanduar edhe disa kërkesa të qytetarëve, si dhe kërkesa e grupit të PDK-së, për raportim për të punësuarit me kontratë në vepër.

Edhe mbledhja e dytë e KPF-së, është mbajtur pa prezencën e anëtarëve të NISMA Social Demokrate, pasi kjo e fundit nuk i ka dërguar ende emrat e anëtarëve për KPF, pasi e konsideron se i është bërë e padrejtë në përfaqësim.