Malishevë: Kuvendi Komunal mban seancë solemne për nder të 17 shkurtit

kuvendi komunal1Sot Kuvendi Komunal në Malishevë me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës ka mbajtur seanc solemne.

Në vazhdim, fjalimi i Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me rastin e shënimit të nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës:

Sot jemi këtu, në këtë seancë solemne, për të shënuar nëntë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe unë jam i nderuar që të mbaj këtë fjalim rasti para juve të nderuar të pranishëm.

Sot u bënë nëntë vite nga Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur.

Bazuar në histori, të gjitha të arriturat e shqiptarëve janë bërë pas sakrificave, betejave dhe luftërave në periudha të ndryshme kohore.  Në kontekstin historik, që nga periudha e Skënderbeut, për të ardhur në kohën e Ismail Qemalit, përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, mbetën të pakurorëzuara plotësisht, pasi pjesët e mbetura jashtë Shqipërisë, duke përfshi edhe Kosovën, mbetën të okupuara nga pushtuesit, pothuajse edhe plot një shekull.

U bënë shumë përpjekje politike, u bënë shumë organizime të ndryshme, për të ardhur deri tek organizimi ushtarak, si mjeti i fundit i përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi. Pas luftës së fundit, u bënë edhe shumë përpjekje diplomatike, për të ardhur në vitin 2008, kur edhe përfundimisht u bë shpallja e Pavarësisë së Kosovës..

Gjatë këtyre përpjekjeve tona si popull, për të fituar pavarësinë, në të njëjtën kohë, ne kemi punuar në ndërtimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë.

Në këto përpjekje, qoftë politike, qoftë ushtarake, ashtu edhe në ndërtimin e vendit, pa dyshim se edhe Malisheva, kishte dhënë kontributin e saj, madje si komunë, apo si rrethinë edhe jemi sakrifikuar si popullatë, apo si banorë të kësaj pjese të vendit. Dashuria për vendin, gatishmëria për sakrificë dhe vetëmohim, si dhe pozita gjeografike, na kanë bërë që të jemi në shërbim të interesave kombëtare.

 Para luftës së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Malisheva, i ka dhënë shumë vendit, madje, madje, Malisheva ka qenë komuna e parë në vend, që në mënyrë publike dhe institucionale, e ka kundërshtuar sistemin e atëhershëm shtetëror-komunist. Por në këtë kohë, komunës sonë, ju hoq statuti i komunës, mirëpo ne vazhduam në sistemin paralel të organizimit.

Më 1998, filloi edhe organizimi i rezistencës ushtarake, dhe Malisheva, si asnjë vend tjetër, ju bashkua thirrjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, për të luftuar deri në çlirimin e vendit. Në këtë luftë, Malisheva, përsëri i dha shumë vendit, duke u organizuar në dy brigada të mëdha ushtarake. Në luftën çlirimtare, Malisheva i dha vendit afro 80 dëshmorë, qindra banorë tjerë humbën jetën, u bënë masakra të shumta, dhjetëra të zhdukur, e shumë luftëtarë mbetën invalid.

Më 16 Qershor, Malisheva u çlirua, por nga kjo luftë doli tërësisht e shkatërruar. Pas çlirimit, Malisheva, punoi shumë në ndërtimin e saj, dhe krahas ndërtimit, u punua shumë edhe në ngritjen e institucioneve komunale dhe zhvillimit të komunës, krahas zhvillimit të vendit në përgjithësi.

U punua shumë, deri në ardhjen e 17 Shkurtit të vitit 2008, kur edhe Kuvendi i Kosovës, miratoi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Sot, në 9 vjetorin e Pavarësisë, dhe në vitin e katërt të detyrës sime, si Kryetar i Komunës, po bëjmë përpjekje të vazhdueshme në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur që qytetari ynë, të ndihet komod dhe dinjitoz në vendin e vet.

Urojmë, që shumë shpejt, Kosova të ketë vendin e saj të merituar në instancat ndërkombëtare, krahas vendeve tjera të lira të botës.

Më lejoni që me këtë rast, ti uroj të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës.

GËZUAR DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËSragip begajkuvendi komunal